Brenda kompleksit të tuneleve të Hamasit

schedule10:57 - 27 Maj, 2021

schedule 10:57 - 27 Maj, 2021

Nga Qanta Ahmed, The Spectator

Pas arritjes së marrëveshjes së tij të armëpushimit me Izraelin, Hamasi është përpjekur sërish ta pikturojë veten si një lëvizje e rezistencës që lufton kundër një force pushtuese.

Pas 11 ditësh luftimesh, të cilat shkaktuan më shumë se 250 të vdekur, bashkëthemeluesi i Hamasit, Mahmoud Zahar, pretendoi një fitore strategjike dhe një tjetër simbolike.

“Elementi i ri është shkalla e lëvizjes së rezistencës, sidomos në Gaza, për të sulmuar objektivat izraelite dhe pikat shumë të rëndësishme, përfshirë shumicën e zonave të mbipopulluara … shoqërinë civile. Atëherë, për sa kohë do ta pranojnë këtë izraelitët?”- deklaroi ai për televizionin britanik Sky News.

Duke e prezantuar veten si një viktimë, Hamasi po përpiqet që të bindë botën Arabe – dhe myslimanët në Perëndim si unë – që ne duhet të jemi në anën e tij. Por realiteti është se oreksi gjithnjë në rritje i grupit terrorist për konflikte, nuk po bën asgjë për t’i shërbyer çështjes palestineze.

Ndërsa udhëheqësit e Hamasit jetojnë në luksin dhe sigurinë që ofron Katari, miliona dollarë, të cilët duhej të ishin përdorur për të ndihmuar palestinezët, janë përdorur për të ndërtuar rrjetin kompleks të tuneleve nëntokësore të grupit islamik në të gjithë Gazën.

Gjatë këtij konflikti të fundit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), shkatërruan më shumë se 96 km të këtyre tuneleve, të njohur ndryshe si “Metro”. “Ata u përdorën fillimisht nga operativët e Hamasit për t’u fshehur, pasi qëlluan me raketa në drejtim të Izraelit”- shpjegoi IDF në një video të publikuar javën e kaluar.

Sipas saj, Hamasi i ndërlidhi me njëri-tjetrin tunelet e tij më të vogla, derisa ato u bënë një sistem kompleks nëntokësor që u dha mundësi terroristëve të fshiheshin, stërviteshin dhe të transportonin armë. IDF vë në dukje se rrjeti ka vite që po ndërtohet, pasi pjesa më e madhe e tij u shkatërrua në vitin 2014 gjatë operacionit “Protective Edge”.

Fjala “tunel” të sjell ndërmend idenë e diçkaje të vogël dhe të pistë. Por kur hulumtova këto tunele në Gaza me IDF në vitin 2018, realiteti ishte shumë i ndryshëm. Unë hyra e veshur me një xhaketë të bardhë dhe dola prej andej plotësisht pa njolla.

Nuk ishte një ambient i vështirë siç e kisha parashikuar. Përkundrazi, ventilimi siguronte që ajri në tunel të ishte i freskët. Aty kishte shumë instalime elektrike dhe armatura të reja prej betoni. Ato janë të ndriçuara mirë dhe të ndërtuara me kujdes. Ekspertët më treguan gjithashtu daljen e tunelit, që shpie drejtpërdrejt në arën e një fermeri izraelit pranë një kopshti.

Këto tunele nuk janë ndërtuar nga amatorë, por nga një makineri lufte e përkushtuar dhe e fiksuar nga urrejtja e saj ndaj Izraelit. Struktura e tuneleve, të cilat ndodhen të paktën 30 metra nën tokë, është gjithashtu shumë më komplekse nga sa e kuptojnë shumë njerëz. Imazhet satelitore nga ai investigim (të cilin unë e ndërmora me shpenzimet e mia), e bën këtë rrjet tunelesh me të sofistikuar sesa sistemi i metrosë së Londrës apo Nju Jorkut.

Rrjeti i tunelit të Hamasit, duket më shumë si një çentro e ndërlikuar e punuar me grep.

Udhëzuesi im, koloni i ushtrisë izraelite në Gaza, Jakov “Kobi” Valer, na shëtiti thellë në për atë labirint.

Kur hymë më tej, kolonel Kobi u përkul dhe zgjati kokën përpara. Me armën e tij gati për çdo të papritur, ai u zhyt në errësirë. U desh pak kohë që sytë e mi të përshtateshin me errësirën, kur lamë pas dritat elektrike. Ndërsa po ecnim më tej, errësira u shtua, temperatura e mjedisi ra shumë dhe vetëm rrezja e dritës LED shkëlqente në atë vend.

Shumë shpejt mund të shihja vetëm siluetën e tij. Isha i shqetësuar se ai do të më zhdukej nga sytë. Edhe pse tuneli ishte i siguruar nga IDF, dhe Hamasi nuk mund të kalonte dot atje, unë nuk mund ta fsheh se kisha shumë frikë dhe doja të largohesha sa më parë.

Në ato momente m’u kujtua historia e një luani që ishte destinuar të dërgohej në kopshtin zoologjik të Gazës, i futur kontrabandë përmes Egjiptit, i cili u zgjua nga gjumi i shkaktuar nga qetësuesit në një nga tunelet. I tmerruar, ai sulmoi dhe masakroi një nga njerëzit që e shoqëronte. Unë kisha nevojë të dilja jashtë. Nuk ishin dhe aq mjediset klaustrofobike apo errësira në rritje, por ishte synimi i këtyre tuneleve ai që ma neveriti atë vend.

“Kam parë mjaftueshëm!”- i thashë kolonel Kobit. Ai më ndihmoi në rrugën e kthimit. Vetëm kur arrita të rishoh në hyrje të tunelit e kuptova se sa shumë kisha qenë në ankth. Aspekti më shqetësues i këtij raundi të fundit të luftimeve është evolucioni i Hamasit në një forcë shumë më të frikshme dhe agresive.

Numri i madh i raketave të Hamasit në këtë konflikt e konfirmon këtë gjë. Financimi ushtarak nga ana e Iranit, ka bërë që struktura ushtarake e Hamasit të fillojë të ngjajë me atë të njësive luftarake të Gardës Revolucionare Iraniane. Mos kini asnjë iluzion:Pa “Kupolën e Hekurt”, sistemin anti-raketor të Izraelit, numri i të vdekurve izraelitë civilë do të kishte qenë shumë më i lartë.

Përtej Izraelit, Irani ka synimet e tij për konflikte edhe më të mëdha, më të përgjakshme në të ardhmen. Për shembull në Irak, Teherani ka organizuar njësi të milicisë gjithnjë e më të fshehta pro-iraniane që kanë aftësi të veçanta paraushtarake, si për shembull për t’u angazhuar në luftën me dron, mbikëqyrjen dhe propagandë në internet.

Këto njësi, të cilat janë stërvitur nga Hezbollahu në Liban, janë në varësinë direkte të oficerëve në Forcën Kuds të Iranit, krahu i Gardës Revolucionare Iraniane që kontrollon milicinë e saj aleate jashtë vendit. Në kontrast me Iranin, bota arabe është e angazhuar shumë në normalizimin e lidhjeve me Izraelin.

Kombet arabe të përfshira në Marrëveshjet Abrahamike, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, janë shumë të angazhuara në zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Izraelin, nga lidhjet ekonomike, bujqësore, turizmi, tregtia, inteligjenca dhe ushtria.

Jared Kushner parashikoi që plani i tij do t’i jepte mundësinë palestinezëve në Gaza të kishin një të ardhme më të mirë ekonomike, lëvizshmëri dhe liri. Palestinezët e refuzuan atë në fillim, duke hequr dorë nga mundësia për të përfituar 50 miliardë dollarë investime nga ana e kombeve të Gjirit, dhe shansin për një ekonomi të lirë dhe të lëvizshme.

Unë shpresoj që ky propozim (ose një propozim i ngjashëm nën presidentin Joe Biden) të pranohet nga udhëheqja palestineze, e cila duhet të pranojë ndërkohë demilitarizimin e Gazës dhe faktin se Izraeli ka të drejtë të ekzistojë.

Vetëm atëherë mund të ketë paqe. Ka ardhur koha që bota arabe të ngrihet në mbrojtje të vlerave njerëzore, dhe të hedhë poshtë përdorimin e turpshëm të popullit palestinez si një mburojë njerëzore nga ana e  Hamasit.

Nëse dëshirohet që të përfundojë ndonjëherë ky konflikt, Hamasi duhet të shpërbëhet plotësisht. Dhe çmontimi i rrjetit të tuneleve të tij do të ishte një fillim i mirë. Është koha që bota arabe të kërkojë çarmatimin dhe neutralizimin e Hamasit. Vetëm atëherë, palestinezët do të kenë një shans për të arritur paqen dhe prosperitetin. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al