Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Bread and Heart Festival”, Rama: Projekti i Zvërnecit po zhvillohet me ekspertë botërorë

schedule10:13 - 7 Qershor, 2026

schedule 10:13 - 7 Qershor, 2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar edicionin e dytë të “Bread and Heart Festival”, një festival ndërkombëtar i arkitekturës dhe zhvillimit urban që u zhvillua këtë javë në Tiranë.

Sipas tij, aktiviteti mblodhi mbi 600 arkitektë, urbanistë dhe profesionistë të fushës nga Europa, Azia, Amerika e Veriut dhe Amerika Latine, përfshirë fitues të çmimeve prestigjioze si Pritzker Prize, duke e kthyer kryeqytetin në një hapësirë globale shkëmbimi idesh dhe eksperience.

Rama tha se pjesëmarrësit kanë zhvilluar punëtori dhe diskutime mbi projekte të ndryshme urbane dhe mjedisore, duke e cilësuar festivalin si një “shkollë të hapur” për arkitekturën dhe planifikimin urban.



Kryeministri përmendi edhe përfshirjen e arkitektit Dong Yugan, drejtues në studion “Turenscape”, i cili sipas tij është pjesë e grupit të punës për projektin e zonës së Zvërnecit dhe peizazhit të mbrojtur në atë zonë.

Ai theksoi se projekti po zhvillohet me ekspertizën e disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë në arkitekturë, mjedis dhe ekonomi, dhe se është në fazë pune dhe konsolidimi. Rama kritikoi sërish debatet publike rreth projektit, duke i cilësuar të ekzagjeruara dhe të shkëputura nga realiteti profesional i atyre që janë të përfshirë në të.

“Një tjetër aktivitet i kësaj jave, i cili nuk e bën dot dhe s’ka pse ta bëjë zhurmën e lajmeve të këqija dhe të gënjeshtrave të amplifikuara, ishte edicioni i dytë i Bread and Heart Festival, Festivali i Bukës dhe i Zemrës, festivali ndërkombëtar që sjell në Tiranë një numër mbresëlënës arkitektësh dhe profesionistësh të zhvillimit urban, duke mbledhur praktikisht rreth një sofre personalitete të jashtëzakonshme, fitues të Nobelit të arkitekturës, Pritzker Prize, të cilët vijnë nga të gjithë kontinentet, nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Amerika Latine, dhe të cilët ishin mbi 600 këtu, pastaj edhe së bashku me partnerët e tyre lokalë, me vajza e djem që merren me arkitekturë, merren me zhvillim urban dhe që faktikisht jetojnë ditë vërtet të paharrueshme të karrierës së tyre, sepse bashkëpunojnë me mjeshtrit më të mëdhenj në një shkollë të hapur arkitekture dhe planifikimi urban, siç është bërë sot Shqipëria.

Tirana u kthye në një hapësirë shkëmbimi idesh dhe përvojash mes këtyre personaliteteve, të cilët kanë parë shumë, të cilët udhëtojnë shumë, të cilët bëjnë projekte kudo, kudo, kudo, të cilët janë kudo të ftuar dhe të mirëpritur, por të cilët janë absolutisht mirënjohës për këtë mundësi që u jep festivali për të qenë së bashku dhe për të ndërvepruar së bashku, gjë që nuk e bëjnë në pjesën tjetër të rrugëtimit të tyre.

Mes tyre ishte edhe Dong Yugan, pasardhësi i arkitektit legjendar Kongjian Yu aktualisht drejtues i studios prestigjioze Turenscape, një prej emrave më të vlerësuar në botë në fushën e arkitekturës së peizazhit. Dong Yugan është faktikisht udhëheqësi i konsulencës për peizazhin e mbrojtur të Zvërnecit brenda grupit të madh të punës me projektin, të cilin flamingot e veshur me flamur dhe që flasin, e rëndom nuk dinë çfarë flasin në bulevard, kërkojnë që të anulohet.

Projekti është duke u zhvilluar, është duke u punuar, është duke u materializuar hap pas hapi nën sytë dhe falë mendjes së disa prej arkitektëve më të mëdhenj të botës.

Dhe Dong Yugan është pjesë e atij grupi, së bashku me inxhinierë mjedisorë nga më të mirët në botë, së bashku me ekonomistë, së bashku me studiues, të cilët do të merren me impaktin ekonomik dhe social, me impaktin ambiental, e kështu me radhë.

E kam thënë dhe po e përsëris se këtu, në këtë çorbë që zihet me zhurma të mëdha, është e vështirë që të kalojë fjala e thënë me decibelë normalë, por e kam thënë dhe e përsëris. Ai grup ka ardhur në Vlorë atëherë kur u fol vetëm për ardhjen e Ivanka Trump-it, por ishte një vizitë dyditore me atë grup të madh dhe janë bërë diskutime, workshop-e, dhe një workshop i veçantë ka qenë që i gjithë grupi është ulur dhe ka dëgjuar disa profesorë me reputacion të lartë në Shqipëri, profesorë të historisë, profesorë të gjeografisë, profesorë të etnologjisë e kështu me radhë.

Kështu që është e pakonceptueshme, duhet të jesh komplet i papërqendruar që të besosh se ata njerëz që janë bashkuar bashkë, ata bashkëinvestitorë që mund të shkojnë kudo në botë dhe që kanë bërë plot gjëra nëpër botë, të krijojnë këtë ushtri të madhe njerëzish ëndërrimtarë dhe ambiciozë për të ardhur dhe për të vrarë flamingot. Duhet të jesh komplet i papërqendruar që ta hash këtë lloj flamingoje. Kështu mendoj unë.

Gjithsesi, siç thashë, i kemi të qarta punët në demokraci. Disa zgjidhen për të punuar, disa punojnë për t’u zgjedhur, disa të tjerë as punojnë, as zgjidhen, por protestojnë. Disa punojnë, protestojnë; protestojnë, punojnë. Disa të tjerë nuk dinë as vetë se çfarë kërkojnë. Është liri, është demokraci.

Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë, thoshte legjendari Loro Boriçi.”, tha Rama/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!