nga Isildo Musta
Botërori “Katar 2022” mund të konsiderohet fare thjesht edhe si “Botërori i surprizave”, ku ekipe si Arabia Saudite dhe Japonia mundën respektivisht finalistët e “Brazil 2014”, Argjentinën dhe Gjermaninë. Teksa kanë përfunduar ndeshjet e xhiros së dytë të fazës së grupeve, disa prej ekipeve “big” kanë hipotekuar vendin e tyre në fazën e 1/16.
Deri më tani Franca, Brazili dhe Portugalia janë tre ekipet e para, të cilat kanë arritur të marrin 6 pikë të plota, duke siguruar kështu një biletë “të parakohshme” drejt fazës tjetër. Kualifikimi është gjysmë i arrirë dhe nga Hollanda e Anglia, të cilat edhe pse ndodhen me nga 4 pikë në grupet A dhe B luajnë sot me ekipe shumë poshtë nivelit të tyre, respektivisht me vendin organizator Katarin dhe Uellsin.
Llogaritë e kualifikimit do të mbyllen sot dhe për 4 ekipe të tjera, Ekuadorin, Senegalin, Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të siguruar një biletë kualifikim në grupin A, vendi i dytë me 4 pikë Ekuadori do të “përplaset” me vendin e tretë Senegalin. Ekipe përafërsisht të ngjashme me lojë të hapur të mesfushë, të shpejtë nga krahët dhe “blind” në mbrojtje, por Senegali duket se është një “hap” më para, pasi lideri i sulmit të “ameriko-jugorëve”, Ener Valencia, mendohet se do të rri sot jashtë fushës së blertë, pas një dëmtimi që mori në ndeshjen e kaluar përballë Hollandës.
Në grupin B, Irani do të përballet me SHBA-në, një përballje kjo që pritet tepër e “nxehtë”, duke ditur dhe historinë jashtë fushës së blertë, ndërmjet këtyre dy shteteve. I pozicionuar në vendin e dytë në grupin B me 3 pikë, Irani vjen pas një fitoreje 0-2 përballë Uellsi, fitore kjo e arritur falë dy gola në minutat 98’ dhe 101’. Në anën tjetër, SHBA-ja ndodhet në vendin e 3-të, në grupi, pas 2 barazimeve 1-1 dhe 0-0, respektivisht me Uellsin dhe Anglinë. Diferencën pritet ta bëjë sulmi, ku në anën e Iranit ndodhet Mehdi Taremi, lojtar i cili po kalon një periudhat më të mira të karrierës së tij, si tek Porto, po ashtu dhe në kombëtare duke arritur të kontribuj me 2 gola dhe 1 asist në 2 ndeshje këtë Botëror.
Në kampin amerikan, tifozat i mbajnë sytë dhe shpresat e tyre, tek Christian Pulisic. Anësori 24-vjeçar, i cili aktivizohet tek Chelsea është kthyer në lojtarin më të mirë të kombëtares amerikane, këtë Botëror, por edhe pse pa shënuar akoma këtë edicion, “Kapiten Amerika” (nofka me të cilët tifozët thërrasin Pulisic), ka asistuar golin e vetëm të kombëtares së tij, atë përballë Uellsit.
Ditën e sotme, FIFA ka publikuar dhe formacionin më të mirë të xhiros së dytë, të fazës së grupeve, ku surprizat kanë qenë të shumta. Në portë ndodhet Szczesny me notën 7.5, pas asaj përballjeje me Arabinë Saudite, ku “gardiani” i portës së Juventusit arriti të presë një penallti, si dhe raste të panumërta nga kundërshtarët. Mbrojtja me katër përbëhet nga Rezaeian i Iranit me notë 7.5, Salisu i kombëtares ganeze me notën 6.5, kroati Josko Gvardiol me notën 6.5, si dhe mbrojtësi i krahut të majtë të Ekuadorit, Estupinan me notën 7.
Në mesfushë ndodhen iraniani Cheshmi me notën 7.5, ganezi Kudus po me notën 7.5, Bruno Fernandes, i cili shënoi të dy golat në përballjen e mbrëmshme me Urugajin me notën 8 dhe anësorin e Chelsea-t, marokenin Ziyech me notën 7.5. Në sulm FIFA ka përzgjedhur Mbappe dhe kamerunezin Aboubakar, të dy me notën 8.5, pas paraqitjeve të tyre fantastike këtë javë. Mbappe arriti të shënonte të dy gola përballë një kundërshtari të fortë si Danimarka, duke kualifikuar të tijët për në fazën tjetër, ndërsa Aboubakar u kthye në “makthin” e tifozëve serb, pasi arriti të shënojë 1 dhe të asistojë 1 vetëm 10 minuta pas hyrjes së tij në fushë, duke i dhuruar kombëtares së tij pikën e parë këtë Botëror, në barazimin 3-3 të arritur përballë Serbisë.
Ndërkaq, sot në orën 16:00 do të luhen 2 sfidat e grupit A, Hollandë-Katar dhe Ekuador-Senegal, ndërsa në orën 20:00 rradhën për të zbritur në fushë e kanë ekipet e grupit B, ku Uellsi do të sfidojë “fqinjët” e saj, Anglinë, ndërsa Irani, siç thamë më lart do të “përplaset” me Shtetet e Bashkuara, në një përballje që nuk duhet humbur. Në fazën tjetër ekipi i cili renditet i pari në grupin A do të përballet me vendin e dytë të grupit B, ndërsa ekipi i cili rendietet i pari në grupin B do të përballet me vendin e dytë të grupit A. /abcnews.al