Temperatura minus disa gradë dhe reshje dëbore ka patur në disa qarqe të vendit. Deri tani nuk raportohet për probleme në akset nacionale, por qarkullimi i mjeteve duhet të bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërsa disa fshatra malore në Kukës, Dibër dhe Gramsh janë të bllokuara nga reshjet e dëborës.
Dibra u zgjua me reshje dëbore dhe ulje temperaturash. Sasia më e madhe e borës ka rënë në lartësinë mbi 700 metra. Aksi kombëtar Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm pasi është hedhur kripë. Ura e Çerenecit-Librazhd, trashësia e borës shkon 15 centimetra dhe duhet të përdoren zinxhirë, ndërsa në aksin Peshkopi-Kala e Dodës ka prezencë akulli. Rrugët rurale janë më problematike, qarkullimi duhet të bëhet me zinxhirë pasi ka ngrica dhe shton rrezikun e aksidenteve.
Në fshatrat e Lurës, Selishtës, Ostrenit dhe Klenjës në Bulqizë, trashësia e borës shkon në 20 centimetra. Temperaturat kanë zbritur minus disa gradë edhe në Kukës. Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme dhe pa probleme. Në Rrugën e Kombit, kompanitë sipërmarrëse hedhin vazhdimisht kripë. Problematike paraqitet situata në rrugët rurale dhe në fshatrat e zonave malore të Shishtavecit, Arrnit, Topojanit, Grykëçajës, Kalisit e Lekbibajt. Një pjesë rrugëve qarkullohen me vështirësi vetëm me zinxhirë. Bashkitë respektive kanë këshilluar banorët e këtyre zonave të shmangin lëvizjet e pamotivuara.
Ngricë dhe akull është konstatuar në aksin kryesor në Qafë Thanë. Por këtu është hedhur vazhdimisht kripë e skorje dhe nuk ka probleme me qarkullimin. Akset ku lëvizet me zinxhirë janë disa segmente dytësore rrugore që lidhin kryesisht fshatrat me qytetet. Po kështu rrugët që lidhin Prrenjasin me Sopotin, Gramshin me Lenien, Poroçanin e Skëndërbegasin kanë probleme me ngricat. Rruga në fshatin Rovje në Gramsh është e bllokuar nga dëbora. Edhe në Qafën e Llogarasë ka vështirësi në qarkullim për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës. Policia Rrugore u kërkon të gjithë drejtuesve të mjeteve të mos kryejnë asnjë lëvizje pa zinxhirë. Në zonë ndodhet një mjet borëpastrues për normalizimin e situatës nëse do të ketë bllokime nga bora.
Ndërsa në juglindje aksi nacional, që lidhin Korçën me Qafë Thanën dhe Kapshticen është i hapur dhe i qarkullueshëm. Po ashtu edhe aksi Korçë-Ersekë-Leskovik është i hapur, por në Qafën e Qarrit, kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Prefekti i Korçës, i cili sëbashku me Task-Forcën e institucionit që drejton, po monitoron situatën, pohoi që edhe akset që të çojnë drejt destinacioneve turistike janë të kalueshëm.
“Akset Korçë, Dardhë dhe Voskopojë kalohet pjesërisht me zinxhirë. Janë të hapura, por kalohet pjesërisht në disa vende që rekomandohet me zinxhirë”, tha prefekti Dhori Spilollari.
Bora ka izoluar disa fshatra në zonën e Mokrës dhe Dardhasit në Pogradec.
“Zona e Velçanit është e izoluar. Bishnicë-Velçan është e izoluar, po punohet për të hapur rrugën. Sigurisht është pak e vështirë. Dhe në Dardhas ka probleme kurse zonat e tjera nuk janë izoluar”, tha Spirollari.
Në Qarkun e Korçës më tepër se 20 mjete borëpastruese, por edhe mjete të tjera ndihmëse janë në terren për të mbajtur hapur të gjitha rrugët nacionale, ndërsa ARRSH-ja garanton se ekipet e saj janë në gatishmëri.
“ARRSH është i angazhuar totalisht dhe është i gjithi në terren për të monitoruar situatën në të cilën ndodhet momentalisht jo vetëm rajoni juglindor i Korçës, por edhe rajonet veriore, jugore të Shqipërisë”, u shpreh Klodian Sava.
Rritja e ndjeshme e fluksit të mjeteve në akset nacionale, nga kthimi i emigrantëve në Greqi, ka shtuar patrullat e policisë së qarkullimit, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e makinave pa zinxhirë. /abcnews.al