Bojkoti i lojtarëve të Kamzës ndihmon Partizanin

20:27 | 03/02/201920:270

Partizani u shkëput sërish në 5 pikë epërsi ndaj Kukësit në Superligë, por e pati më të lehtë se zakonisht fitoren në Kamzë. Shumë lojtarë vendas bojkotuan ndeshjen për shkak të vonesës së pagave.

Janë nga ato ndeshje që shpesh nuk di si t’i luash. Kamza u detyrua të dilte në fushë ndaj Partizanit, me një njëmbëdhjetësh me shumë mungesa kryesore, por kjo i hutoi jo pak kryeqytetasit. Të përgatitur për të përballuar një kundërshtar të plotë, të besuarit e trajnerit Gega zhgënjyen me lojë edhe pse fituan 1-0, ndërsa më shumë se gjysma e formacionit kamzali bojkotoi për shkak të rrogave.

Lojtarë si Fukui, Plaku, Malaj apo Avdyli, pa i përmendur të gjithë, nuk pranuan të dilnin në fushë në shenjë proteste, madje lajmet janë që nëse deri të mërkurën nuk nis pagesa, nuk do të paraqiten as në seancat stërvitore. Një situatë shumë e vështirë për trajnerin Ernest Gjoka, që pa e tepruar mund të thuhet se e shkatërron punën e bërë prej tij.

“Situata sa vjen dhe po agravohet më shumë. Njerëzit kanë nevojat e tyre nga ana financiare, mbajnë familjet e tyre. Kështu që nga ky moment ne jemi në këtë vështirësi pasi dihet publikisht që dy drejtuesit tanë kanë prishur marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Do i jap dhe pak kohë presidentit dhe nëse nuk e qetëson pak skuadrën, sigurisht që jo unë po kushdo që të jetë nuk do mundet të punojë dot”, tha Gjoka.

Gjithsesi, Kamza u përpoq edhe me shumë lojtarë të stolit si titullarë, dhe e vuri në vështirësi serioze atë që mund të quhet skuadra më e mirë e momentit në Shqipëri. Përballja e javës së 20-të u zgjidh nga një gol i vetëm, shënuar nga Jasir Asani në minutën e 55-të, dhe kryeqytetasit më shumë u përpoqën të kontrollonin ndeshjen sesa të sulmonin e të luanin bukur. Trajneri i kryeuesve, Gega, gjithsesi, u shpreh i kënaqur.

“Nëse do të fitosh një ndeshje që nga minuta e parë deri në të 90 duhet ta vlerësoh të njëjtë. Ndoshta dhe fusha dhe era ishte pak e vështirë për ta ulur topin dhe për ta qarkulluar”, tha Gega.

Në ndeshjen tjetër, luajtur në të njëjtën orë, Luftëtari arriti një fitore të papritur, 2-0 në Laç, ndaj një rivali që pretendon të paktën Europën. Koçonis shënoi që në minutën e 2-të, dhe Aleksi fiksoi rezultatin që në pjesën e parë.

Vlen të theksohet se këtë sezon, Laçi ka fituar në Gjirokastër në fazën e parë, surpriza që kanë ndodhur edhe në duelet e Luftëtarit me Kastriotin, ku gjithnjë ka fituar skuadra mike, diçka tepër e rrallë për Superligën. Pas 20 ndeshjeve, Partizani kryeson renditjen me 43 pikë ndaj 38 të Kukësit, ndërsa Kamza zbret në vendin e fundit./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono