Blok bllokon Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

schedule14:39 - 6 Qershor, 2019

schedule 14:39 - 6 Qershor, 2019

Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë debateve në parlamentin holandez për sa i përket hapjes ose jo të negociatave, ministri i jashtëm Stef Blok u tregua i prerë duke thënë se vendi ynë është ende larg. Ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut ai është shprehur më pozitiv.

Qeveria holandeze nuk është e interesuar për hapjen e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ndërsa për Maqedoninë e veriut ka ende shpresë. Deklarata e prerë dhe e qartë u bë nga ministri i jashtëm Stef Blok në parlamentin e vendit ku pritej dhe votimi për hapjen ose jo të negociatave.

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë,” u shpreh Blok, i cili është treguar më optimist për sa i përket Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se atje janë ndërmarrë hapa të mira.

Por nuk janë ende aty ku duhet. Duhet bërë ende dicka në zonën e rendit dhe ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Blok ndër të tjera.

Komisioni Evropian beson se BE duhet të fillojë bisedimet e pranimit me këto vende. Sipas komisionerit për zgjerim Johannes Hahn reformat që janë zbatuar në vendet e Ballkanit perëndimor duhet të shpërblehen.

Deputetët holandezë kërkuan një përgjigje të qartë mga ministri i tyre për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Blok mendon se ishte mjaft i qartë. Sipas tij, asnjë vendim nuk mund të merret në BE nëse të gjitha shtetet anëtare marrin një pozitë të paracaktuar paraprakisht.

Parlamenti holandez është i ndarë për sa i përket zgjerimit të Bashkimit evropian me vendet e Ballkanit perëndimor. D66, PvdA dhe GroenLinks duan që BE të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. PS dhe PVV janë kundër. CDA beson se Shqipëria nuk është e gatshme. Partia është më pozitive për Maqedoninë Veriore, por ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar për këtë. VVD nuk ka folur akoma./ABC News Albania 24/7