Bllokohet “Gega Oil”, shpallet në kërkim pronari

schedule11:15 - 10 Gusht, 2019

schedule 11:15 - 10 Gusht, 2019

Policia e Shtetit dhe organet tatimore kanë bllokuar për evazion fiskal kompaninë “Gega Oil” ndërkohë që është shpallur në kërkim administratori i saj, Paulin Gega, i cili rezulton se është larguar jashtë shteti

Në njoftim te policisë thuhet se gjatë një kontrolli tatimor të ushtruar në datën 7 Gusht në subjektin “Gen Klaudis ShA”, që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”  , u gjetën pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual. Pikërisht për këtë arsye u bë edhe bllokimi i aktivitetit për këtë firmë karburantesh, thuhet në njoftimin për mediat. Hetimet e mëtejshme, sipas policisë, treguan se administratori i kompanisë, Paulin Gega, përmes subjektit që ai drejton “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Gega edhe më herët ka pas probleme me organet tatimore. Ndaj tij nisi një procedim rreth katër vite më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave, por hetimet u pushuan për mungesë provash. Urdhër-ndalimi për Paulin Gegën e ka nxjerrë prokuroria e Tiranës për veprat disa penale, si; “Fshehja e të ardhurave”,  “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Ne njoftimin e uniformave blu thuhet se administratori i Gega Oil rezulton të jetë larguar jashtë vendit më datë 9 gusht, duke bërë shpalljen në kërkim të  Paulin Gegës.

Pak pasi policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se ka shpallur person në kërkim administratorin e Gega Oil, ky i fundit ka reaguar për lajmin, duke mohuar akuzat edhe bën me dije se është ndër tatimpaguesit më të mëdhenj në vend. Paulin Gega deklaroi se këtë lajm e mësoi sot nga mediat ndërsa ai ishte larguar për pushime në shtetin fqinj, Greqi./ABC News Albania 24/7