“Bllokohen” nga parlamenti masat e reja kufizuese anti-Covid në Maqedoninë e Veriut

schedule11:47 - 21 Tetor, 2020

schedule 11:47 - 21 Tetor, 2020

Në përpjekje për të kontrolluar valën e re të koronavirusit, qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet që të miratojë një sërë masash të reja për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Megjithatë masat kanë ngecur në parlament.

Shumica parlamentare ka kërkuar kohë për shqyrtimin e ligjit sepse ka pasur dilema për disa dispozita.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së sqaron se kanë disa vërejtje të cilat pritet t’i diskutojnë në grup të posaçëm pune ku do të jenë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët para deputetëve të opozitës do të duhet të sqarojnë nevojën e miratimit të këtyre masave.

Grupi parlamentar opozitar kryesisht ka dilema rreth kompetencave të institucioneve që duhet të sigurojnë zbatimin e masave.

Zëdhënësi i partisë është shprehur se vlerësimin për efikasitetin e masave të reja që propozon pushteti duhet ta japin ekspertët. Ata në disa raste kishin kërkuar shkarkimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse sepse vlerësojnë se punon me diktat politik. Në bazë të rregullave të reja të gjitha  hotelet do të duhet të jenë të hapura deri në orën 23:00, përveç atyre që kryejnë dërgesa.

Administrata shtetërore dhe publike, komunat dhe gjykatat duhet ta organizojnë punën në turne, online nga shtëpia ose në mënyrë të reduktuar me sistem të rotacioneve.

Me ndryshimet në Ligj, e detyrueshme  do të bëhet mbajtja e maskës në ambient të hapur, ndalohet grupimi në ambient të hapur pas orës 22:00 dhe kufizohet numri i mysafirëve në shtëpi më shumë se katër persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe megjithatë, pret që deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe urgjentisht t’i sjellin masat e reja për mbrojtje nga Covid-19, sepse, thekson, situata është serioze.

“Deputetët të dëshmojnë përgjegjësi sa më parë në mënyrë unanime të votohen dy pako masash për mbrojtjen e popullatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit. Kërkoj të gjithë të unifikuar të dërgojmë mesazhin e unitetit rreth rëndësisë së respektimit të masave. Ato tërësisht janë të bazuara në analizat e Institutit për Shëndet Publik dhe në përvojat ndërkombëtare. Masa të njëjta ose të ngjashme për momentin tashmë janë në fuqi në të gjitha shtetet evropiane”,theksoi Filipçe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë të gjitha masat pasi vendit tanimë po i mbarojnë të gjitha kapacitetet spitalore.

“Respektimi i masave, mbajtja e maskave dhe mbajtja e distancës përveç që do të thotë mbrojtje e shëndetit personal, publik, të familjarëve, do të thotë edhe respekt ndaj punës së punonjësve shëndetësorë të cilët pandërprerë, prej fillimit, po luftojnë me këtë krizë”, tha Filipçe. /abcnews.al/