Bllokimi i rrugëve kryesore, protesta pa incidente

schedule13:21 - 5 Prill, 2018

schedule 13:21 - 5 Prill, 2018

Protestues të drejtuar edhe nga deputetë të partive opozitare PD dhe LSI u mblodhën të rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, për të bllokuar rrugën që lidh Tiranën me Juglindjen, tek rrethrrotullimi në Çermë të Lushnjes për Jugun dhe tek rrethrrotullimi i Milotit për të bllokuar rrugën drejt Veriut. Gjatë këtyre tubimeve, nuk pati incidente.

Kryebashkiaku i Kukësit është njeriu që mbështeti banorët e tij nga protesta e ashpër në Rrugën e Kombit deri në sallën e gjyqit, ku 11 kuksianë mbetën në burg.

Por nuk u tërhoq kur kryeministri Edi Rama nga Parlamenti njoftoi për mos aplikim të tarifës së Rrugës deri në një zgjidhje për banorët.

“Një gjë duhet të sqaroj, në kontratë nuk ka asnjë pikë ku thuhet taksa është për kuksianët, taksa është për të gjithë shqiptarët”

Kryqëzimi i Milotit ishte bllokuar nga protestuesit, kur policia kërkoi formalisht largimin e tyre nga rruga.

Pati vetëm një irritim të momentit. Ndërsa lëvizja e mjeteve ishte devijuar në aksin e vjetër Milot-Mamurras.

Mjeti i urgjencës u la i lirë të kalonte në rrugë pa asnjë vonesë. Kurse ata që kishin mbërritur në kryqëzimin që lidh veriun me Tiranën ishin të zemëruar.

“Nuk di se kur do të dalim nga kjo situatë”.

“Kjo është një qeveri bandite”.

“Për ato qindra e mijëra shqiptarë që ikin nga Shqipëria, kjo ëhstë protestë paqësore.”

“Poshtë komunizmi dhe duam bukë”

“Kemi bërë luftë 100 vjet  me çlirue Kosovën e në mënyrë paqësore me vu taksën vëllezërit tanë”

“Me qindra kolegë e nxënës ikin dhe vetëm ikin nga Shqipëria”

“Qeveria dhe institucionet shqipatre e kanë humbur të drejtën me dhënë leje për protesta popullore”

“Kjo mosbindje qyterarë do vazhdojë derisa ky vend të çlirohet nga Edi Rama”.

Në Bradashesh aty ku Elbasani lidhet me Tiranën dhe me Juglindjen situata ishte pak e tensionuar, dhe pse aty kishte një numër më të vogel protestuesish. Që në fillim protestuesit dogjën disa goma makinash dhe bllokuan lëvizjen.

Pati qytetarë që kërcënuan deri më vetëflijim dhe protestat do të vazhdojnë.

“Këtu në Shqipëri demokracia nuk funksionon fare”.

“Rama po e çon vendin në kaos”

Një biznes të vogël hapa unë dhe po e mbyll”

“Ky arreston njerëzit për bukën e gojës”

Ç’është kjo që të vesh në dy të natës e të lebetitësh fëmijët e Kukësit”

“Po pate mundësi na vër taksa dhe për fëmijët”

“Ngrihen natën dhe marrin djemtë e nënave si shtazë”

“Po mbyll bizneset, ti je vandal”

Forcat e policisë qëndruan në largësi dhe mjetet lëvizen nga rruga e Durrësit. Edhe këtu nën kujdesin e deputetëve dhe të protestuesve lejuan të qarkullonin autoambulancat dhe urgjencat.

Përfaqësuesit e opozitës së bashkuar sulmuan qeverinë dhe folën për rezistencë të ashpër javët e ardhshme.

Kryemadhi: “Ky është teatër i radhës i Ramës. Sa herë që është në hall thotë gjëra të tilla. Gjëja e parë që duhet të bëjë Rama është të lirojë kuksianët që ka në birucat e tij”.

Spaho: “Në ditët e ardhshme rezistenca jonë do të jetë shumë e ashpër deri sa të arrijmë objektivin që ta shporrin këtë të keqe nga Shqipëria, ai duhet të iki, jo shqiptarët”.

Në rrethrrotullimin e Çermës në Lushnje,  policia qëndroi 300 m larg nga protestuesit

Të mbledhur nga qytete të ndryshme të Jugut folën për taksat e larta, papunësinë, tarifën në Rrugën e Kombit.

“Po na thith gjakun si shushunjat”.

“T’i lirojë ata trimat e Kukësit”.

“Të gjithë në sulm, nuk do me të mirë ai zagar”.

As misër të zjerë nuk ka zona më”

“Të ftoj kryeministër të dalësh nga Tirana e deri në Gjirokastër të shikosh tokat shqipatre si i ke lënë”

Është një protestë e njerëzve të dëshpëruar që duan punë dhe të mbrojnë lirinë e tyre, thanë përfaqësuesit e opozitës.

Alibeaj: “Kjo është protestë e njerëzve që nuk vjedhin si Rama, nuk merren me drogë si Tahiri, nuk vjedhin si Beqja e Ahmetaj. Këta njerëz duan punë e liri”.

Për shkak të fluksit të madh të mjeteve, 10 minuta pas shpërndarjes së protestuesve u bllokua qarkullimi rrugor. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!