“Bllokimi i llogarive”, Katiaj: S’mund të krijohen dispozita ligjore që kundërshtojnë njëra-tjetrën

schedule18:14 - 26 Nëntor, 2020

schedule 18:14 - 26 Nëntor, 2020

Ekspertja e ekonomisë Elisabeta Katiaj, foli në “ABC” për vendimin e fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për tërheqjen nga vendimi i mëparshëm për bllokimin e llogarive të aksionerëve dhe administratorëve në rast se kompania është debitore.

Lexo edhe: Rindërtimi 1 vit pas tërmetit, ekspertja e ekonomisë: Çdo pushtet do të kishte mangësi

Me anë të një njoftimi ky institucion bëri me dije se ka ndërhyrë në udhëzim dhe ka shtuar në të faktin që bllokimi i llogarive të aksionerëve apo administratorëve mund të bëhet vetëm nëse ka një vendim të formës së prerë të gjykatës me anë të cilit vërtetohet se kanë abuzuar me detyrën që kanë mbajtur.

Katiaj u shpreh se sipas saj marrja e këtij vendimi lidhet me detaje procedurale, ndërsa shtoi se investitorët kanë nevojë për siguri që të lëvizin.

“Është një çështje që lidhet me përcaktimin e disa detajeve në lidhje me procedurën. Besoj se është një iniciativë e marrë në kuadër të mbledhjes së nxitjes së borxhit. Faza e ekzekutimit është një fazë tjetër dhe ngelen sërish procedura të pasqaruara. Por në vendet e zhvilluara borxhet tatimore arrijnë në vlerën 1 %. Në Shqipëri për borxhin tatimor, nuk kam shifra të sakta, pasi nuk janë transparentë në INSTAT.

Mënyra e taksimit dhe vjeljes së taksës është shumë e rëndësishme. Shqipëria ka një sistem tatimor ku borxhi nuk ka qenë primar në administratën tatimore. Sot strukturat nuk janë të afta të çojnë deri në ekzekutim të borxhit.

Përmbushja vullnetare e detyrimit tatimor duhet të bëhet kulturë dhe kjo kërkon një fushatë sensibilizuese. Kur filloi pandemia bizneset filluan abuzimet, u raportuan shumë fatura të papaguara. Në këto kushte asnjë nuk del garant”, tha ekspertja e ekonomisë.

Sakaq ajo shtoi se nuk mund të krijohen dispozita ligjorë që shkojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Është primare siguria, sepse nëse investitorët nuk kanë sigurinë, ata nuk lëvizin. Në çdo lloj kushti, të qenit legjitim kushton më pak se të qenit i parregullt, dua të them se kur krijohen barriera të tilla, kjo krijon amulli dhe mungesë të investimit të biznesit”, tha më tej Katiaj.

/abcnews.al/