Firma që zotëron kamionin, i cili transportoi Toyota-n me para deri në portin e Durrësit, ka një ambient në zonën e Alliasit, në periferi të Tiranës. Në fund të vitit të kaluar, kjo firmë ishte licensuar për transportin e automjeteve ndërkombëtare me qira.
Brenda rrethimit të auto-servisit nuk ka asnjë njeri.
Banorët e zonës pohojnë jashtë kamerave se, nuk e njohin pronarin e godinës, Edi Lika. Por brenda ambienteve gjendet edhe një automjet tjetër tip Toyota Yaris, e patarguar.
Gjithashtu, deputeti i PD-së, Ervin Salianji publikoi një foto, ku pretendon se është e njërit prej ndaluarve në qytetin e Durrësit, për fshehje të parave me vlerë rreth 3.4 mln euro. Automjeti që ndodhet në foto tip “Porche Chayane” gjendet pikërisht në servisin në zonën e “Alliasit”, i parkuar, ndërsa pronësinë e tij policia nuk e bën të ditur.
Administratori Edi Lika kishte marrë licensën në fushën e auto-servisit dhe të transportit rrugor ndërkombëtar mallrash për të tretë me qira, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë më 14 Dhjetor të 2017-s.
Ndërkohë sipas Qëndrës kombëtare të Biznesit, Edi Lika e kishte regjistruar aktivitetin e tij privat më 9 shtator 2015. Fillimisht, Edi Lika ishte pajisur me leje vetëm për auto-servis dhe karrotrec, por e kishte ndryshuar këtë status në fund të 2017, duke kryer transport ndërkombëtar mallrash për të tretë./abcnews.al