Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh të prerë Iranit pas përfundimit të bisedimeve teknike dyditore në Doha të Katarit, duke theksuar se nuk do të pranojnë asnjë ndryshim në statusin aktual të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Sipas burimeve të cituara nga Al Arabiya dhe Al Hadath, Uashingtoni e konsideron qëndrimin e Teheranit ndaj Ngushticës së Hormuzit si testin e parë të zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes dy vendeve në qershor. Zyrtarët amerikanë kanë bërë të qartë se çdo përpjekje për të ndryshuar statusin e kësaj rruge strategjike do të përbënte shkelje të marrëveshjes.
Burimet shtojnë se SHBA po monitoron nga afër çdo lëvizje iraniane në zonë dhe se çdo përshkallëzim mund të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e marrëveshjeve mes palëve.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve SHBA-Iran është planifikuar të zhvillohet më 18 korrik. Sipas të njëjtave burime, Uashingtoni ka bërë të ditur se çdo përparim në çështjen e fondeve iraniane të ngrira do të varet nga respektimi i plotë i memorandumit dhe nga sjellja e Iranit në terren, veçanërisht në lidhje me sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, komanda e përbashkët e forcave të armatosura iraniane ka deklaruar se prania ushtarake amerikane në hapësirën ajrore të Ngushticës së Hormuzit përbën kërcënim për sigurinë rajonale. Teherani paralajmëroi se çdo ndërhyrje e SHBA-së do të marrë një “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare”.
Autoritetet iraniane gjithashtu kanë deklaruar se të gjitha anijet duhet të ndjekin rrugët detare të përcaktuara nga Irani për të garantuar kalimin e sigurt nëpër ngushticë.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur pas akuzave të ndërsjella për shkelje të armëpushimit dhe incidenteve të raportuara ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas raportimeve, SHBA kreu sulme ndaj objektivave ushtarake në jug të Iranit, ndërsa Teherani pretendoi se goditi objekte të lidhura me SHBA-në në Kuvajt dhe Bahrein.
Në qendër të mosmarrëveshjes mbetet kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit. Irani këmbëngul se ka të drejta sovrane mbi tranzitin në këtë rrugë detare dhe synon të vendosë tarifa për shërbimet e ofruara, ndërsa SHBA dhe aleatët e saj e kundërshtojnë këtë qëndrim, duke kërkuar garantimin e lirisë së lundrimit sipas së drejtës ndërkombëtare.



