Në një intervistë për “ABC News” drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino ka folur për shtimin e rasteve të reja të koronavirusit, ndryshimet e këtij virusi dhe ri-infektimin.
Bino theksoi se ka pasur një shtim të rasteve ndërsa shtoi se duhet një përkushtim më i madh i gjurmimit epidemiologjik.
“Gjatë kohës kur vendi ishte i mbyllur dhe izolimi ishte i detyruar, çdo kontakt i identifikuar duhet të izolohet në varësi të situatës”, tha Bino.
Bino tha për gazetarin Endri Xhafo se nëse do të zbatohen masat korrekte, transporti publik nuk do të përbëjë rrezik. “Asnjë vend në botë nuk ka ndaluar transportin publik. Është një element jetë, por kërkon të zbatohen masat korrekte”, u shpreh ajo.
Bino gjithashtu foli edhe për rastet e infeksionit në QSUT, për të cilat theksoi se nuk mund të konsiderohen burim infeksioni edhe pse pranoi se ka pasur një shpërthim të rasteve me covid-19.
QSUT po shndërrohet në burim infeksioni?
Bino: Nuk mund të them burim infeksioni, ka pasur një shpërthim. Personeli i QSUT është edhe qytetar që jeton në familje dhe merr pjesë në aktivitete të ndryshe dhe kjo gjë mund të ndodhë, por me rëndësi është zbatimi i masave që ndoshta në disa reparte nuk janë zbatuar me rigorozitet. Natyrisht që po merren masa. Shpeshherë janë mjekët dhe profesorët që i neglizhojnë sepse duket si gjëra të thjeshta, por me rëndësi të madhe.
Sa të infektuar ka nga bluzat e bardha?
Bino: Aktualisht janë rreth 100 të infektuar, që në momentin kur filloi pandemia. Ndërsa sot kemi rreth 100 persona personel mjekësor aktiv. Mjekët futen në grupin më të lartë të riskut. Kjo tregon që ne duhet të bëjmë shumë më tepër trajnime në mënyrë të tregohet kujdes më respektimin e masave.
OBSH dhe i gjithë komuniteti shkencor po kërkojnë të bëhet vaksina. Me datë 6 u raportua një rast i një ri-infektimi pas 3 muajsh distancë, gjë që hedh poshtë të gjitha ato që besohen mbi pandemi dhe logjikën e vaksinës. Ishte gabim, gafë? Si qëndron e vërteta?
Bino: Dua të theksoj që personi është infektuar, ka pasur shenja të lehta herën e parë. Ka qenë një rast që është negativizuar me vështirësi. Lindi nevoja për tu testuar për herë të dytë, sepse një familjar i tij u identifikua me Sars cov2.
Deri tani dimë se koronaviruset nuk lenë imunitet për një kohë të gjatë. Gjatë ritestimit u pa që ishte pozitiv. Në botë po flitet se pavarësisht se e kalon koronavirusin mund të jesh në gjendje të lëshosh virus, por nuk je transmetues.
Lexo edhe: Specialisti i shëndetit në Londër: Ri-infektimi nga Covid në Shqipëri, për t’u ndjekur edhe nga OBSH
Ne menduam se nëse kemi të bëjmë me hedhje virusi apo ri-infektim. Fakti që personi bëri pneumoni interstitial u mendua për një ri-infektim. Por nuk jemi ne rasti i parë që ka ndodhur. Pavarësisht se e kalon COVID-19 përsëri duhet të ruhesh. Ka shpresa për dy lloje vaksinash. Vaksina lidhet me një virus tjetër që ndikon në përgjigjen imunitare ndaj këtij virusi.
Në lidhje me mutacionin e virusit do të presim se si do të shkojë, sepse edhe në lidhje me viruset ka garë në lidhje me adaptueshmërinë tek njerëzit. Është e vështirë të bësh parashikime, por tashmë nuk është e vështirë të bësh përgatitje.
Lexo edhe: Një personel shëndetësor riinfektohet me koronavirus tre muaj pas shërimit
A do të shkojmë përsëri në mbyllje?
Bino: Ky numër rastesh pavarësisht se është i lidhur me disa shpërthime duhet të kontrollohen, kjo është sfida jonë për këtë javë.
Aktualisht, për momentin, do ti rekomandonit qeverisë një frenim masash, në rast se do të kemi rritje eksponenciale?
Bino: Mbyllja është masë lehtësuese që të lejon të përgatitesh, të fitosh eksperiencë. Spitali gjatë mbylljes ka fituar eksperiencën e vet. Mbyllja dhe kufizimi të lejojnë ta shtrish në distancë dhe ta zbusësh kurbën.
Por ka edhe masa të tjera, si ndalimi i grumbullimeve, e disa aktiviteteve, me rëndësi është që çdo qytetar duhet të jetë i përgjegjshëm. Nuk duhet të futemi në supermarkete pa maska.
Kur Silva Bino si individ, do të rekomandojë mbylljen, sa duhet të shkojnë shifrat?
Bino: Kjo lidhet me shkallën e zbatimit të rregullave të tjera, nuk lidhet me shifrat.
A e ka humbur forcën klinike virusi?
Bino: Nuk e ka humbur, ne vërejmë raste me shenja, por edhe raste pa shenja që ne i kapim.
Më tej Bino tha se Instituti ka filluar një studim në lidhje me transmetueshmërinë e viruseve, por që ende po bëhen studime. “Distancimi fizik është një element shumë i rëndësishëm për të ulur rrezikun e infektimit”, sqaroi më tej Bino./abcnews.al