Bieber analizon motivet e Vuçic: Pse Serbia e bëri kthesën e madhe në OKB

schedule23:38 - 2 Mars, 2022

schedule 23:38 - 2 Mars, 2022

Njohësi i zhvillimeve politike për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, e ka vlerësuar pozitivisht votimin Serbisë pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ta dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ai, përmes një reagimi në Twitter, ka pyetur pse Serbia e bëri kthesën e madhe dhe ka analizuar arsyet që mund ta kenë shtyrë shtetin serb drejt këtij vendimi.

“Votimi i Serbisë pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për dënimin e Rusisë, është një kthesë befasuese, pas heshtjes së gjatë, e përcjellë nga rezoluta e papërcaktuar e Këshillit Kombëtar të Sigurisë (të Serbisë). Çfarë do të thotë kjo?”, ka pyetur Bieber.

Bieber ka vlerësuar se një prej arsyeve pse Serbia ka ndërmarrë një veprim të tillë, mund të jetë taktikë e saj për ta evituar mundësinë e izolimit, ku ajo shihet si një prej aleateve të pakta të Rusisë në Evropë, shkruan Gazeta Express.

“Mund të jetë po ashtu një strategji rirreshtimi prapa votës së dhënë, megjithatë mediat e tij ende nuk kanë marrë pozicion të ri. Vlen të shohim gjatë ditëve të ardhshme”, ka shkruar tutje Bieber.

Një ndryshim pozicioni i Serbisë, shkruan Bieber, do të kishte kuptim jashtë vendit për Serbinë.  “Do ta reduktonte presionin, duke e pasur parasysh unitetin e BE-së dhe ndryshimet globale. Do të ndihmonte për të siguruar mbështetje kruciale nga Perëndimi në kohën kur ka humbur aleatët e vjetër si Merkel”, thekson ai.

Megjithatë, shkruan ai, ndryshimi i pozicionit do të ishte një marrëveshje me djallin për Vuçiqin. “Është e vështirë të imagjinohet një ndryshim me mënyrën si ai qeverisë, minon demokracinë dhe rehabiliton kriminelët e luftës. Ai, si një “stabilokrat” i mirë, mund të shpresojë për një marrëveshje si ‘më mbështesni dhe unë do të jem në anën tuaj’”, analizon tutje Bieber.

Në këtë kohë, sipas Bieber, Vuçiç mund të mbajë raporte më të ulëta me Rusinë dhe Kinën, ndonëse që të dyja e kanë mbrojtur atë në qëndrimin e saj për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Por rreziku më i madh për Vuçiçin mund të jetë humbja e votuesve.

“Përkundër kësaj, ai mund të rrezikojë, duke e pasur parasysh kontrollin që e ka mbi mediat dhe institucionet dhe t’i thotë Perëndimit, më mbështesni sepse të tjerët janë më pro-rusë se unë”, shkruan në fund analisti gjerman. / Gazeta Express /