Bie opsioni Kurbin, Tirana-Kukësi zhvendoset në Korçë

schedule17:08 - 31 Tetor, 2020

schedule 17:08 - 31 Tetor, 2020

Do të luhet në Korçë dueli i javës së parë të Superligës me Tiranës e Kukësit. Kjo zhvendosje ndodhi sepse stadiumi “Selman Stërmasi” nuk është gati. U kuptua që në fillim se problem nuk do të ishin vetëm kërkesat për qeverinë.

Futbolli shqiptar ka një shqetësim të madh me terrenet dhe ja ku vjen zhvendosja e parë e rëndësishme, ajo e duelit të Superligës mes Tiranës e Kukësit të mërkurën e ardhshme.

Sfida e javës së parë së kampionatit mes kampiones dhe nënkampiones në fuqi, nuk do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, por në Korçë. Këtë e konfirmoi për ABC News shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Marius Sulejmani.

Fusha e impiantit kryeqytetas është në gjendje të keqe dhe aty kanë nisur punimet për rimbjellje të barit. Një variant, madje ai më i pëlqyeri i të dy klubeve, ishte që të luhej në Laç, por klubi kurbinas refuzoi.

Kjo për shkak se edhe në fushën e stadiumit laçian pati punime, që përfunduan vetëm pak ditë më parë. Presidenti Laska nuk deshi të rrezikonte për ta dëmtuar fushën ende pa e marrë veten mirë.

Stadiumi “Skënderbeu” mbeti mundësia e vetme, edhe pse distanca deri në Korçë është e madhe, diçka që nuk është se i ka pëlqyer shumë Tiranës e Kukësit. /abcnews.al