Besnik Mustafaj: Protesta e studentëve do të prodhojë rezultate pozitive

schedule13:13 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 13:13 - 10 Dhjetor, 2018

Në një intervistë në studion e televizionit Klan Maqedonia, Besnik Mustafaj thotë se kjo protestë e studentëve duhet të zgjerohet dhe të mbështetet nga gjithë opinion publik. Si një nga figurat e dikurshme të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90, Mustafaj shpreson se protesta e studentëve do të prodhojë rezultate pozitive përtej kërkesave të artikuluara.

Protesta disa ditore e studentëve në gjithë Shqipërinë, për ish ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj ka ngjallur optimizmin e munguar tek shoqëria, përmes shfaqjes së emancipimit të saj dhe presionit që ushtron mbi politikën. Në studion e Klan Maqedonia, Mustafaj rolin e kësaj proteste e sheh përtej arritjes së kërkesave specifike drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.

Besnik Mustafaj: “Kjo lëvizje do të prodhojë rezultate pozitive shumë më tepër se ç’janë kërkesat e drejtpërdrejta për trajtimin e tyre si student. Unë shpresoj që duhet që kjo levizje të përgjithësohet dhe të mbështetet nga mbarë opinioni publik, të nxjerrë gjithë pakënaqësite ndaj shumicës qeverisëse dhe Ramës, por edhe ndaj opozitës për ta bërë më të vetdijshme për rolin e saj institucional”.

Zgjidhja më e mirë sipas tij?

“Zgjidhja me optimale dhe më e dobishme për vendin në fund do të ishte dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”.

Rol deçiziv në këtë zgjidhje ka edhe opozita, për Mustafajn, mbijetesa e së cilës sipas tij varet nga aftësia për artikulim politik të zgjidhjes së problemit.

“Opozita duhet të përqëndrohet tek arsyet e vërteta të pakënaqësisë që ti bëjë propozime që i përgjigjen kësaj pakënaqësie. Nëse opozita s’do mund ti formulojë mirë, ti udhëheqë politikisht proceset për realizimin e kërkesave sigurisht që do të krijohet opozitë tjetër”.

Mungesa e rolit të saj institucional ka krijuar një traumë tek opozita, sipas Mustafajt, që po shkakton pamundësi në strukturim, si ja kërkon edhe misioni politik i saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!