Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme në Berlin, kryeqyteti gjerman do të përjetonte një tronditje politike.
Sipas sondazhit të institutit Insa, partia e ekstremit të djathtë AfD kryeson me 19% të mbështetjes, duke lënë pas me një pikë si CDU-në ashtu edhe Die Linke, të cilat renditen me nga 18%.
Rezultatet janë befasuese në prag të zgjedhjeve rajonale të 20 shtatorit dhe tregojnë se rritja e partisë së drejtuar nga Alice Weidel dhe Tino Chrupalla ka shkuar përtej bastioneve tradicionale të ish-Gjermanisë Lindore. Përveçse mund të sjellin një tërmet politik në kryeqytet, këto shifra kanë edhe një vlerë të fortë simbolike: Berlini, një qytet kozmopolit, multikulturor dhe për dekada një bastion i së majtës gjermane, po i shtohet listës së rajoneve ku AfD ka arritur ta shndërrojë pakënaqësinë e qytetarëve në mbështetje elektorale.
Gara mbetet e hapur
AfD e ka cilësuar rezultatin në sondazhe si një “tronditje politike”, duke sulmuar edhe një herë partitë tradicionale si të paafta për të qeverisur. Megjithatë, rreth dy muaj para zgjedhjeve, gara mbetet e hapur.
Pas AfD-së me 19%, CDU-ja dhe Die Linke ndajnë vendin e dytë me 18%, ndërsa të Gjelbrit renditen me 16% dhe socialdemokratët e SPD-së me 13%.
Megjithëse AfD kryeson në sondazhe, rruga drejt pushtetit mbetet e vështirë. Asnjë nga partitë kryesore nuk pranon të bashkëpunojë me të, duke ruajtur të ashtuquajturin “kordon sanitar” për të izoluar ekstremin e djathtë.
Berlini dhe kriza e strehimit
Vëmendja ndaj politikës në Berlin u shtua pas 10 korrikut, kur kryebashkiaku Kai Wegner (CDU), në detyrë që nga viti 2023, vendosi të mos rikandidojë. Vendimi erdhi pas kritikave të forta për menaxhimin e ndërprerjes masive të energjisë elektrike që goditi periferinë jugperëndimore të qytetit në fillim të janarit.
Wegner deklaroi se kishte punuar për orë të tëra për zgjidhjen e krizës, por më pas u zbulua se gjatë asaj kohe kishte qenë duke luajtur tenis, ndërsa mijëra qytetarë mbetën pa energji elektrike dhe ujë të ngrohtë. Tërheqja e tij konsiderohet një goditje për konservatorët.
Një nga temat kryesore të fushatës është kriza e banesave. Kostoja e lartë e strehimit dhe mungesa e apartamenteve e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë jetesën në Berlin.
Kjo çështje ka qenë tradicionalisht një nga kauzat kryesore të Die Linke, por tashmë është përvetësuar edhe nga AfD.
Slogani kryesor i partisë është “Banesat në radhë të parë për berlinezët”. Programi parashikon një sistem pikësh që favorizon banorët afatgjatë të kryeqytetit, duke u dhënë përparësi atyre në ndarjen e banesave publike.
Emigracioni dhe siguria në qendër të programit
Programi i AfD-së fokusohet gjithashtu te kufizimi i emigracionit dhe forcimi i sigurisë.
Partia kërkon ndalimin e pranimit të azilkërkuesve, rritjen e dëbimeve, zgjerimin e politikës së “riatdhesimit”, shtimin e patrullave policore në lagje, uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 14 në 12 vjeç, si dhe futjen e kastrimit kimik për autorët e krimeve seksuale.
Rritja e AfD-së në nivel kombëtar
Rezultati në Berlin nuk konsiderohet rasti i vetëm. Ai është pjesë e rritjes së vazhdueshme të AfD-së, e cila ka arritur nivelet më të larta që nga themelimi i saj në vitin 2013.
E krijuar fillimisht si një parti euroskeptike, AfD është shndërruar në forcën kryesore të opozitës në Bundestag, duke ndërtuar mbështetjen e saj mbi çështje si emigracioni, siguria dhe identiteti kombëtar.
Sondazhet kombëtare e rendisin tashmë pranë nivelit të 30% të mbështetjes, një zhvillim që po sfidon ekuilibrat tradicionalë të politikës gjermane të pasluftës, të ndërtuar mbi dominimin e partive të mëdha dhe izolimin e forcave radikale.
Për këtë arsye, kryesimi i AfD-së në Berlin shihet si kapërcimi i një pragu psikologjik të rëndësishëm për politikën dhe shoqërinë gjermane.


