Berisha: Protesta për të larguar Ramën, hapja e partisë po ndodh

schedule12:17 - 24 Shtator, 2022

schedule 12:17 - 24 Shtator, 2022

Nga zyra për të cilën bëri betejë për të larguar Lulzim Bashën, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarët përmes Facebook. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, Berisha e ka vënë theksin tek protestat, si mënyrën e vetme për të larguar Edi Ramën.

“Mënyra më intensive e komunikimit tim me ju, ka qenë përmes rrjeteve sociale. Sa i përket protestave, e vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit e të varfërit po bëhen më të varfër. Rama votën nuk e pranon dhe i gjithë ky zhvillim dramatik, përmbysje në shtresat e shoqërisë ka një shkak themelor dhunimin e votën prej tij.

Protestat janë rruga për të cilën është përcaktuar fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Ju garantoj se do të nisin shumë shpejt. Janë shtyrë, por edhe shtyrja bëhe për shumë aspekte e padurueshme. Grevat e protesta do të jenë rrugët për të rikthyer në Shqipëri shpresën e votën e lirë për të dalë nga regjimi totalitar”, tha Berisha.

Lidhur me situatën në selinë blu, Berisha deklaroi se hapja e partisë po ndodh dhe nënvizoi fillimin e primareve për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Edhe vetë primaret janë një procedurë për hapjen e partisë. Qytetarë të parë të bashkive do të kenë mundësi të kandidojnë të gjithë ata që e ndjejnë se kanë një projekt. Hapja ka nisur dhe do të realizohet”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri tha se të hënën miratohet udhëzimi për primaret. “Ditën e hënë, Këshilli Kombëtar i PD miraton udhëzimin për zgjedhjet sipas primareve. Pra, primaret për kryetarët e bashkive do kenë kuadrin ligjor të gatshëm ditën e hënë. Kjo është një ngjarje e madhe për PD-në, sepse përmes primareve, shtrijmë pluralitetin drejt partisë”, theksoi ai.

Me bindje shprehu heqjen e traut në Kukës. “Taksa dhe trau do të hiqen muajt e parë, në vendimet e para të PD-së”, tha Berisha.

Berisha iu drejtua me një thirrje dibranëve për të kundërshtuar Skavicën, duke iu thënë që të mos lejojnë që Edi Rama të zhdukë 40 fshatra nga harta.

“Institucionet në këtë vend janë në dorë të një njeri. Shqipëria është diktaturë e një partie. Çdo pushtet në këtë vend është apo buron nga Partia Socialiste. Kjo ide është për fat të keq fiktive. Kundërshtimi është popullor. Qytetarët e Dibrës dhe mbarë Shqipërisë s’duhet të lejojë Edi Ramën që të zhdukë nga harta e vendit rreth 40 fshatra, pjesën më pjellore të Dibrës. De-facto asgjësimin e Dibrës së poshtme. Mobilizimi popullor është zgjidhja”, tha Berisha. /abcnews.al