Në një intervistë për ABC News, ish-kryeministri Berisha e quajti “taksë plaçkë” tarifën për Rrugën e Kombit. Berisha tha se sipas studimit te bërë nga qeveria e tij, Rruga e Kombit do të mirëmbahej vetëm me taksën e qarkullimit.
Pas protestës së 31 marsit në rrugën e Kombit, arrestimi të protestuesve në mbrëmbje dhe protestës së transportuar në Tiranë për lirimin e tyre, Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar morën vendimin e unifikuar të thirrjes së qytetarëve në mosbindje civile. Për ish-kryeminsitrin Sali Berisha arsyeja është e shkruar qartë në historinë e popujve dhe revoltave, që tashmë ka mbërritur edhe në Shqipëri.
“U mbush kupa dhe u derdh. Filloi një revoltë qytetare e një guximi të jashtëzakonshëm kundër qeverisë, kundër Ramës për taksën e tij. Qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës ja thyen turinjtë Edi Ramës, pushtuan kështjellën, vendosën aty flamurin e fitores së tyre. Ky është një frymëzim për të gjithë qytetarët shqiptarë të tjerë, të ngrihen për bzinesin e vogël, të cilit këto ditë i hyri në fuqi vendosja e TVSH, e denoncuar dhe nga vetë FMN dhe unë i bëj thirrje dhe komunitetit ndërkombëtar të vijnë në Shqipëri të shohin pse ikin shqiptarët kaq masivisht dhe pse nuk iknin më parë. Ndaj dhe kam besim të madh që opozita mori dje një vendim historik dhe qytetarët shqiptarë do jenë në lartësinë e guximit të tyre për të përmbysur këtë regjim që ka tejkaluar të drejtën në të gjitha veprimtaritë e tij”.
Retorikës socialiste mbi nevojën e padiskutueshme për një partneritet publik-privat për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit, të shprehur nga koha e qeverisë Berisha, ish-kryeministri i argumenton përfundimet e studimit.
“Rruga e Kombit ka nevojë të madhe për mirëmbajtje dhe ne e bëmë studimin. Ne përcaktuam se sa kërkon kjo rrugë në vit për mirëmbajtje. Rama përpiqet të mbrohet me absurditete, por një tarifë që ne nuk e vendosëm, dhe studimin e kemi të 2010, do të thotë që ne mirëmbajtjen do ta bënim me taksën e qarkullimit. Taksa e qarkullimit, të cilën ky e rriti me 3.5 herë, mjaftonte me nivelin që kishim ne, 2010 e saj për të mirëmbajtur pa asnjë vështirësi Rrugën e Kombit dhe rrugët e tjera. Por Rama këtë taksë kombëtare që ka destinacion absolut rrugët kombëtare, e përdor për zyra, lukse dhe orgjira dhe nuk e përdor për rrugë. Kështu që vendosi t’u vendosë, t’u plaçkisë qytetarëve të qarkut të Kukësit por dhe mbarë qytetarëve të Kosovës. Rruga sjell në vit mbi 300 mln euro të ardhura për shqiptarët. Sapo të fillojë sezoni turistik mbi 1 mln shqiptarë nga Kosova vijnë në brigjet e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore. Kështu që ky veprim jashtëzakonisht i pastudiuar erdhi si derdhja e kupës”.
Lideri historik i demokratëve bojkotin e plotë të zgjedhjeve nuk e sheh, por zgjedhje me Ramën, sipas tij, nuk mund të ketë.
“Unë nuk them, të mos marrë pjesë, por unë them që me Ramën zgjedhje nuk ka. U faktua kjo. Dhe njeriu nuk mund të bëjë të paditurin, eksperimenti u bë”.
Faktimi i shitjes së votës nga studimi europian dhe mungesa e arrestimit të nje përgjegjësi të vetëm për të është fakt, thekson Berisha. Sa i përket procesit të brendshëm që Partia Demokratike udhëheq paralelisht me atë kombëtar, Berisha rolin e tij e sheh të shkëputur nga ai partiak.
“Ndryshime të rëndësishme statutore po bëhen, me ç’jam informuar, në të cilat do të gjejnë veten edhe ata të cilët kanë patur vërejtje të ligjshme për ecurinë, zhvillimet dhe vendimmarrjet. Përsa i përket rolit tim ky është një rol tërësisht i parëndësishëm dhe unë jam dorëhequr një herë e përgjithmonë”.
Jetën politike në Partinë Demokratike ish kryeministri Berisha thotë se do e shpenzojë në rolin e avokatit të interest publik të të gjithë shqiptarëve./abcnews.al