BE-ja e konfirmon se Irani i është përgjigjur propozimit përfundimtar bërthamor

schedule13:12 - 16 Gusht, 2022

schedule 13:12 - 16 Gusht, 2022

Irani tha se i është përgjigjur propozimit përfundimtar të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, por nuk dha detaje për përmbajtjen e përgjigjes.

Ky propozim ishte dorëzuar nga Bashkimi Evropian më 8 gusht.

Agjencia e lajmeve IRNA raportoi më 16 gusht se negociatorët kishin dorëzuar përgjigjet e tyre për propozimin, duke shtuar se Teherani nuk do ta pranojë propozimin e BE-së, pavarësisht paralajmërimeve se nuk do të ketë më negociata.

“Dallimet janë në tri çështje, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë shprehur fleksibilitetin e tyre verbal në dy raste, por duhet të përfshihen në tekst”, thuhet në raportin e IRNA-s. “Çështja e tretë lidhet me garantimin e vazhdimësisë së (marrëveshjes), e cila varet nga SHBA-ja”.

“Irani ka dorëzuar përgjigje me shkrim për draftin final të marrëveshjes së Vjenës dhe ka njoftuar se e njëjta do të arrihet nëse Shtetet e Bashkuara reagojnë me fleksibilitet”, raportoi agjencia.

Peter Stano, zëdhënësi BE-së, u tha gazetarëve më 9 gusht se teksti është përfundimtar dhe se “është momenti për një vendim: po ose jo”.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, u citua më herët nga IRNA të ketë thënë se “pala amerikane ka pranuar verbalisht dy kërkesat” e bëra nga Teherani.

Një zëdhënës i kryediplomatit të bllokut, Josep Borrell, konfirmoi se Teherani kishte dorëzuar përgjigjen e tij dhe tha se ajo ishte duke u analizuar.

“Jemi duke e analizuar atë dhe jemi duke u konsultuar me pjesëmarrësit e tjerë për rrugën përpara”, tha zëdhënësi, duke iu referuar titullit zyrtar të paktit bërthamor të vitit 2015.

Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë përmban përgjigja.

Mundësia e ringjalljes së marrëveshjes, e cila mund të çojë në heqjen e sanksioneve të SHBA-së mbi prodhimin e naftës të Iranit, ka ndihmuar në nxitjen e rënies së çmimeve globale të naftës.

Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore më 2018. Pas kësaj, Irani nisi që gradualisht të tërhiqet nga obligimet e marrëveshjes, duke pasuruar uraniumin.

Marrëveshja kufizonte pasurimin e uraniumit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

IRNA citoi një diplomat iranian të paidentifikuar të ketë thënë se “propozimet e Bashkimit Evropian janë të pranueshme me kusht që ato t’i japin garanci Iranit për pika të ndryshme, që lidhen me sanksionet dhe masat mbrojtëse”.

Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia rifilluan bisedimet me Iranin mbi marrëveshjen në fillim të gushtit pas një ndërprerjeje prej disa muajsh. Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë në mënyrë indirekte./REL/