Bashkimi Evropian i ka vendosur platformës së mediave sociale X, një gjobë prej 120 milionë eurosh për shkelje të rregullave të transparencës.
Komisioni Evropian akuzon X për autentifikim mashtrues të llogarive të përdoruesve me shenja blu, fshehje të të dhënave nga studiuesit dhe mosdokumentim transparent të reklamave të vendosura në platformë.
“Shuma e gjobës është proporcionale me shkeljen”, theksoi sot komisioni.
“Mashtrimi i përdoruesve me shenja blu, fshehja e informacionit në reklama nuk kanë vend online në BE”, tha nënkryetarja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen.
Platforma X mund të ndërmarrë veprime ligjore kundër vendimit, i cili në fund të fundit mund ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED).
Vendimi kundër X u bazua në Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të BE-së. Ai rrezikon të tendosë më tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance shkroi dje në X se BE duhej të mbështeste lirinë e fjalës, dhe jo të sulmonte kompanitë amerikane.
Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar ligjet digjitale evropiane duke i quajtur ato anti-konkurruese./abcnews.al

