Në ditët e fundit janë mbajtur një sërë eventesh në arenën e politikës rajonale e ndërkombëtare, duke nisur nga Samiti i Ballkanit të Hapur, vizita e kancelarit gjerman tek samiti në Selanik. Ato që ranë në sy ndër të tjera në këto takime ishin edhe batutat e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në “Log.” me Endri Xhafon, politikani Genc Pollo tha se “krekosja” siç e quajti ai, e kryeministrit ndaj Evropës është e pavend dhe e papranueshme.
Ndërsa, duke u ndalur tek procesi euro-integrues për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Pollo tha se në vend të ndarjes apo jo nga fqinji ynë, duhet të diskutojmë se çfarë do të na japin negociata.
“Ajo që duhet të diskutojmë është çfarë do na japin këto negociata? Kemi ende probleme me shtetin ligjor. Shpresoj që reagimi të jetë më efektiv mbi një kryetar qeverie që tallet me Evropën.”
Kurse, për analistin Skënder Minxhozi sjellja dhe gjuha që Rama përdor në evente të tilla ka bërë që ai tashmë të mos merret seriozisht.
“Rama ka një gjuhë të tillë, që me sjelljen e vet ka marrë statusin e atij që i lejohet të thotë gjithçka e të mos merret seriozisht. Rama nuk flet si dikush që është brenda formatit. Rama tenton të krijojë profilin e një lideri rajonal. Ai ka iluzionin se ndihet më mirë se ata.” /abcnews.al/