Baton Haxhiu në Provokacija: Ilir Meta ka mbërrit fundin e tij politik

schedule20:35 - 15 Janar, 2019

schedule 20:35 - 15 Janar, 2019

“Ilir Meta e ka mbërrit fundin e tij politik. Çdo lëvizje e tij jashtë kësaj është të përfundojë keq ashtu si po përfundon Berisha që po shkatërron PD dhe Lul Bashën”. Është kjo përgjigjia që dha gazetari Baton Haxhiu në studion e Provokacija, i pyetur nëse Meta mund të lërë postin e Presidentit për t’u bërë lider i opozitës.

Ai e sheh fundin e karrierës politike në Presidencë të Ilir Metës, pasi sipas tij ai nuk prodhon ide dhe njerëzit që e rrethojnë e gërryejnë çdo ditë. Për këtë ai shprehet i keqardhur, pasi sipas tij Meta kishte mundësinë të zgjidhte njerëz të mirë që e duan Shqipërinë.

“Unë e shoh fundin e karrierës së Ilir Metës në Presidencë, se është i shoqëruar me përtacë mendimesh përreth që e përkëdhelin dhe  i japin fuqinë që nuk e ka. Ai nuk është njeriu që prodhon imagjinatë dhe ide, por njeriu i cili në mënyrë përfekte e çon idenë deri në fund, nuk është më ai Iliri që ka qenë idealist. Është për të ardhur keq kush është afër tij dhe ç’përfaqësojnë ata. Mua më dhemb shumë se ai ka pas mundësinë të selektimit të njerëzve të mirë dhe që duan Shqipërinë dhe jo të njerëzve që e gërryejnë duke e gënjyer për madhështinë e tij”.

Pa fshehur miqësinë e kahershme me kreun e shtetit, Haxhiu thotë se ishte ai që ia sugjeroi të bëhej President, duke synuar fundin e karrierës politike, pasi sipas tij Meta e ka konsumuar veten në krye të LSI, ka qenë Kryeministër në moshë të re dhe ka marrë staturën e një njeriu të fuqishëm duke mos e ditur që është i tillë.

“Unë i kam sugjeruar Ilirit të bëhet President sepse e ka konsumuar veten në krye të LSI, se ambicia e tij duke qenë kryeministër në moshë të re ka marrë staturën e një njeriu të fuqishëm, duke mos e ditur që është i tillë. Iliri duhet ta përfundonte karrierën e tij në Presidencë”.

Batoni nuk la pa përmendur edhe meritat e Ilir Metës, kur ruajti ekuilibrat mes PS-së dhe PD-së, por ndahet me të, kur ndërtoi politikanin dhe krijoi rreth vetes njerëzit që e gërryenin çdo ditë duke i marrë pushtetin.

Ilir Meta në 2004-2005 ka merita të jashtëzakonshme, ka dalë nga PS, krijoi LSI. Ia kam dhënë unë sloganin e asaj partie. Emri ka qenë një konsultim mes miqsh, kam qenë afër Ilirit dhe përkrahës i idesë së një Shqipërie të re evropiane.

Unë nuk mund ta mohoj një gjë që është meritore për të, por me Metën kam pas ndarje të thella kur ndërtoi një politikan me njerëz përreth që e gërryenin çdo ditë, duke mos i dhënë ide, por duke i marrë pushtetit. Krijoi një grup njerëzish shpifës që i servilosen dhe dinë të përdorin gjuhë të vrazhdë, fyese, denigruese të cilët sillen rreth Ilir Metës dhe për këtë meritor është Ilir Meta. Ai ka pas një periudhë të jashtëzakonshme të betejës politike, të sinqeritit për të ekuilibruar një betejë mes PS e PD. Kur ai për të mbajtur partinë ka krijuar gabime pa pikë mungese idealizimi dhe idealizimi i tij ka vdek në 2009”.

Një tjetër gabim i Ilir Metës sipas Baton Haxhiut është edhe vendosja e Monika Kryemadhit në krye të LSI.

“Gabimi tjetër është që ka vendos Monikën në krye të LSI. Nuk ka prodhuar një njeri që e projekton LSI. Dhe unë mendoj që këta njerëz e kanë rrethuar dhe i kanë dhënë propozime të padenja”. /abcnews.al