Tiranë- Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “WEB page”, në kuadër të masave për parandalimin e veprimtarive kriminale në afërsi të institucioneve arsimore.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në territorin përreth shkollave, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë zbuluar dy lokale ku organizoheshin dhe viheshin ilegalisht baste sportive, në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit 24 vjeç, dhe 48 vjeç, ndërsa nisi procedimi penal për 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.
Sipas Policisë, në njërin prej lokaleve, i administruar nga 48-vjeçari u kap në flagrancë një shtetas duke vënë baste sportive përmes celularit. Në të njëjtin subjekt ndodhej edhe 54-vjeçari i cili dyshohet se ishte i përfshirë në këtë veprimtari.
Në lokalin tjetër, efektivët konstatuan një 17-vjeçar, i punësuar në subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 5 celularë me faqe aktive për vendosjen e basteve sportive.
Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të posaçëm të masave për garantimin e sigurisë së nxënësve, të prezantuar me fillimin e vitit të ri shkollor. Policia bën me dije se monitorimi dhe kontrollet në zonat pranë institucioneve arsimore do të vijojnë.
/abcnews.al/

