Bashkia e Tiranës/Opozita: Çdo vendim pas Korrikut të 2017-s është nul

schedule16:25 - 29 Mars, 2018

schedule 16:25 - 29 Mars, 2018

Çdo vendim i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës pas korrikut të vitit të shkuar, sipas opozitës është nul, pasi gjashtë anëtarë i kanë marrë mandatet në mënyrë të paligjshme. Këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së, deklaruan se do të kenë marrëdhënie të kushtëzuar me Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, ndërkohë bashkuan votat me mazhorancën për 9 projekt-vendime.

Tre lagje të reja do t’i shtohen Tiranës. Bëhet fjalë për zonën e Freskut që administrohet nga ish-komuna Dajt, atë të Selitës, pjesë e njësisë administrative Farkë dhe unaza e re nën administrimin e ish-komunës Kashar. Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se kjo do të ndihmojë bashkinë të buxhetojë më mirë fondet për investime.

Vendimi kaloi në Këshillin Bashkiak të Tiranës vetëm me votat e mazhorancës. Që në nisje të mbledhjes, opozita paralajmëroi se do të miratojë vetëm çështjet që prekin shtresa në nevojë dhe se nuk do të bëhet pjesë e vendimeve të manipuluara. Gjykata e Shkallës së Parë ka pranuar padinë e saj për pavlefshmërinë e mandateve të gjashtë anëtarëve, që zëvendësuan, ata të cilët u zgjodhën deputetë dhe për rrjedhojë çdo vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak pas Korrikut të vitit të shkuar, sipas kryekëshilltarit demokrat është i pavlefshëm.

Mazhoranca në këshill e konsideroi këtë përdorim politik, pasi çështja është apeluar dhe gjykata ende nuk ka vendosur. Pasi bashkoi votat me mazhorancën për miratimin e nëntë vendimeve me karakter social, opozita u largua nga mbledhja.

14 vendimet e tjera kaluan pa votat e demokratëve dhe LSI-së. Këtë të enjte, këshilli bashkiak i Tiranës vendosi ndër të tjera për miratimin e huasë me BERZH për zgjerimin e kapacitetit përpunues të impiatit të Bovillës dhe ndërtimin e linjës direkte nga liqeni në zonën e Astirit dhe për kalimin në pronësi të Ministrisë së Kulturës 235 metër katror truall për ndërtimin e një dhome teknike për Teatrin te Operas dhe Baletit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!