Basha: Rama e Xhafaj i ofruan 200 mijë euro “Dëshmitarit X”

schedule22:01 - 23 Maj, 2018

schedule 22:01 - 23 Maj, 2018

Kryetari Basha deklaroi se njerëz pranë Ramës dhe Xhafës, i kanë ofruar 200 mijë euro “Dëshmitarit X”, Albert Veliu, për të përgënjeshtruar deklarimet e bëra publike prej tij. Basha i bëri apel Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm që të ndalin presionin ndaj dëshmitarit Veliu dhe gazetarit Olldashi.

Një tjetër denoncim erdhi mbrëmjen e të mërkurës nga selia blu me në fokus po çështjen “Xhafaj”. Kreu demokrat Basha kishte një akuzë të drejtpërdrejtë për Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Xhafaj.

“Jam para jush për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt të cilët kanë hedhur në veprim strukturat e krimit të organizuar nën urdhrat e tyre për të kërcënuar dhe për ti bërë presion “Dëshmitarit X”, shtetasit Albert Veliu dhe familjarëve të tij. të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit x, Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike”.

Sipas kryetarit të PD-së, çdo përpjekje për të kërcënuar apo për të blerë “Dëshmitarin X” dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi, zhyt dhe më tej Xhafajn e Ramën në këtë skandal.

Përballë një skenari të tillë, Basha ka një paralajmërim për kreun e mazhorancës dhe një thirrje për opinionin publik.

“Për çdo hap që hedhin për të vënë nën presion Albert Veliun, dëshmitarin e familjes mafioze Xhafaj, si dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi, përgjegjës do të jenë ata dhe do të marrin përgjigjen më të ashpër nga opozita dhe populli! Të dashur bashkëqytetarë, Kërcënimet dhe presionet e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt janë rritur ethshëm pak orë para protestës tonë kombëtare të 26 majit. Sepse ata kanë frikë. Ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në protestën kombëtare të 26 majit për një Shqipëri të çliruar nga qeveria e lidhur me krimin”.

Për kreun demokrat vetëm bashkimi i qytetarëve mund të bëjë të mundur largimin e qeverisë aktuale, e cila, sipas Bashës, është kthyer në pengesën për integrimin e vendit në Bashkimin Europian./abcnews.al