Basha nga Pogradeci: Protesta e 27 Janarit, bashkimi i shqiptarëve kundër padrejtësisë

schedule15:18 - 21 Janar, 2018

schedule 15:18 - 21 Janar, 2018

Bashkimi i shqiptarëve kundër padrejtësisë, varfërisë dhe aleancës së qeverisë me krimin e ka quajtur kryetari i Partise Demokratike, Lulzim Basha, protestën e 27 Janarit. Basha ishte në Pogradec, ku bisedoi me tregtarë të kësaj zone.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi pogradecarët t’i bashkohen protestës së 27 Janarit në Tiranë.

Ai u tha atyre se kjo është e vetmja mundësi për të ngritur zërin kundër padrejtësive e për të ndryshuar gjendjen ku ndodhen.

Lulzim Basha: “Nëse je i papunë dhe po mendon të largohesh, mos u largo! Eja me ne në sheshin e protestës!. Nëse je i ri dhe nuk gjen dot punë, mos e ul kokën, por bashkohu me ne në sheshin e protestës! Ta nisim ndryshimin e madh ditën e shtunë me 27 Janar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”!

Kryedemokrati ishte në Pogradec në 27-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike.

Në takimin me demokratët, Basha u shpreh se kryeministri, Edi Rama, po punon kundër interesave të shqiptarëve.

Lulzim Basha: “Do të blejë 400 milionë makina luksi për veten e tij. Ka harxhuar 300 milionë euro për zyra, për udhëtime luksi dhe nuk gjen para për të blerë ilaçet për të sëmurët, nuk gjen para për të rritur pensionet siç ka premtuar 100 mijë lekë çdo vit”.

Ndërsa qytetarët në materialin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike iu ankuan Lulzim Bashës për vendosjen e TVSH-s për biznesin e vogël, për rënie të punës e mbylljen e sipërmarrjeve dhe papunësinë veçanërisht mes të rinjve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!