Basha nga Elbasani: Edi Rama largohu, nuk ka dialog!

schedule17:53 - 28 Maj, 2019

schedule 17:53 - 28 Maj, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati takimin e radhës pasditen e ditës së sotme, në Elbasan. Ashtu si është bërë një lloj tradite tashmë, ai është pritur nga simpantizantë të Partisë Demokratike në hyrje të qytetit të Elbasanit në rreth-rrotullimin e Bradasheshit. Më pas ai ka vijuar në takimin e tij me qytetarët e Elbasanit në teatrin “Skampa”, ku mbajti dhe fjalën e radhës.

Mirënjohje për mikpritjen madhështore në Elbasan. Nuk ka mesazh më të qartë se beteja e shqiptarëve për liri. Nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës dhe bandës që ka marrë peng vendin. Nuk mund të ketë as liri as zgjedhje të lira dhe as shporrje të bandës kriminale që po shkatërron këtë qytet pa larguar njeriun që varfëroi dhe vodhi financat e shtetit. Tani po bëhet gati ta kthej Shqipërinë në monizëm me zgjedhjet farsë. Nuk mund të vazhdohet kështu ndaj bashkohuni me ne në Tiranë me vendosmëri në dt 2 qershor. 216 kontrata sekrete ka bërë qeveria e krimit, qindra milion të ardhura që ja u marrin shqiptarëve, fëmijëve të tyre. Janë paratë e qytetarëve, qindra milion para që ushqehet Edi Rama bashkë me bandën e hajdutëve.

Tani shteti shqiptar bën kontrata sekrete që të vjedh paratë tuaja. këto qindra milion euro që i vjedh nuk i kthehen kurrë qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë. Banda hajdute nuk ka bërë asnjë rrugë se i vjedh për veten e tyre. Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë, ka kapur mediat por nuk ka llogaritur popullin. Kur ka qenë fjala për interesin e njerëzve më të thjeshtë ne kemi sakrifikuar gjithçka.

Hapi rrugë zgjidhjes politike, largohu!

Tani të gjithë e dinë se beteja jonë është beteja e perëndimit. Të gjithë e dinë se Edi Rama erdhi në pushtet me krimin, këtu në Elbasan krimi diktoi listën e deputetëve. Por ne bëmë atë që diktuat ju, ne u larguam nga parlamenti i krimit. Çdo akt të atij parlamenti kriminal ne nuk i njohim dhe do ti zhbëjmë. Edi Rama po bën gati instalimin e diktaturës. Dua ti siguroj të gjithë se nuk njohim asnjë akt të këtij parlamenti ilegjitim. Të gjithë ata që po shkelin ligj e kushtetutë do shkojnë para drejtësisë dhe në burg. Në 30 vjet përparimin tonë drejt Evropës e ka ndalur disa herë krimi dhe oligarkia. Ndaj sot unë zotohem para jush dhe shqiptarëve se nuk do ketë kurrë pazar në kurriz të shqiptarëve.

Sot minjtë kanë filluar të thonë broçkulla gjoja për një qeveri të përbashkët Rama-Basha. U them këtyre që nuk ka asnjë shans për qeveri Rama-Basha, pazar në kurriz të shqiptarëve nuk do ketë kurrë asnjëherë. Si gjithë shqiptarët e ndershëm ne jemi investuar që kjo krizë të zgjidhet vetëm në interes të qytetarit shqiptar dhe kjo do të thotë reformë e thellë politike e kushtetuese që asnjë grup horrash të mos mbajë peng popullin shqiptar. Në dialog kombëtar kemi ftuar të gjithë ata që duan të mbyllin kapitullin 30 vjeçar.

Dua ta them qartë se ne miqve tanë perëndimorë u kemi thënë se kjo zgjidhje politike ndjek vetëm një rrugë, një kërkesë, rrugën e parimeve, standardeve evropiane. Nuk ka rrugë tjetër, largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Kemi përshkuar shumë rrugë në këto 4 muaj. Rruga që kemi përpara duhet çuar deri në fund, Shqipëria ka nevojë për zgjidhje. Ne ju ofrojmë një qeveri të zgjedhur nga ju, që ju shtrin dorën, të keni mundësi të punoni dhe jetoni me dinjitet, por unë kam nevojë që këtë betejë ta çojmë përpara deri në fund, ndaj këtë të dielë në orën 19:00 të bashkoheni dhe ta bëni fuqinë tonë edhe më të madhe përmes pjesëmarrjes“, tha Basha.

Në përmbyllje të takimit me qytetarët e Elbasanit, kryedemokrati Basha shpërndau edhe kartat e anëtarësimeve më të reja në Partinë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!