Basha në Shkodër: Rama të shpallë emergjencën

schedule18:21 - 9 Mars, 2018

schedule 18:21 - 9 Mars, 2018

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Anën e Malit në Shkodër, ku takoi banorë të përmbytur. Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama të shpallë gjendjen e emergjencës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar zonën e Anës së Malit në Shkodër, e cila është më e goditura nga përmbytjet.

I shoqëruar nga deputetet demokratë të Qarkut Shkodër, pasi u njoh nga afër me situatën, Lulzim Basha i mbështeti në kërkesën për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile.

Lulzim Basha: “Duke marrë shkas nga gjendja e rënduar e qindra familjeve nga përmbytjet, të cilat kanë shkatërruar investimet dhe pronat e fermërëve, Bashkia e Shkodrës, Qarku i Shkodrës kanë kërkuar shpalljen e emergjencës civile”.

Vetë prania e Forcave të Armatosura tregon se zona është në gjendje emergjence, thekson Basha.

Forcat e Armatosura: “Për çdo ditë kemi arritur deri në 40 banorë lëvizje e evakuime. Gjithashtu shpërndarja e ndihmave ka qenë diku te 400 pako ushqime dhe 2.5 ton ujë”.

Lulzim Basha: “Ju përgëzoj”!

Lulzim Basha: “Vetë zoti dhe natyra përgënjeshtrojnë atë që ka thënë Damian Gjiknuri që këto përmbytje janë rezultat i reshjeve. Siç e shikoni këto përmbytje nuk janë rezultat i reshjeve. Dita e sotme tregon që këto përmbytje vijnë si shkak i shkarkimeve nga kaskada e Drinit”.

Në këtë rast, ligji bën qeverinë përgjegjëse financiare për dëmshpërblimin e tyre, por edhe për vetë shpalljen e gjendjes së emergjencës, tha Basha.

Për këtë i bëri thirrje kreut të ekzekutivit që cinizmin që e karakterizon sipas tij, ta lërë mënjanë sepse është politikisht, moralisht kriminale t’u mohojë ndihmën dhe dëmshpërblimin qytetarëve.

Zona e Anës së Malit është më e goditura nga përmbytjet, ndërsa situata në terren sa vjen e rëndohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!