Ka vijuar turin e takimeve me qytetarët ku diskursi kryesor është ai i ngritjes në protesta në fillimvitin e 2018-ës. Lulzim Basha ishte në Lezhë, ku qytetarëve i tha se ndajnë sëbashku detyrën për rikthimin e dinjitetit në jetën e qytetarëve. Kjo vjen me largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie antimafia, thekson Basha.
Ndalesa e radhës, Lezha. Kryedemokrati Lulzim Basha, në kuadër të turit përgatitor të protestave të thirrura në javët e para të Janarit, bëri thirrjen për bashkim.
“Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni por bashkimi në sheshet e protestës”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se qëllimi nuk është marrja e pushtetit në tavolinë.
“Nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vijë unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe reformës në drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia”.
Për kryeministrin dhe kampionin e tij Saimir Tahiri, fati është i vulosur, thekson Basha.
“Qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo”.
Kriza politike dhe ligjore për kryedemokratin Basha ka ardhur sëbashku me atë ekonomike dhe morale, ndaj për rikthimin e një jete dinjitoze Lulzim Basha kërkon krijimin e një qeverie antimafia./abcnews.al