Basha-ndërkombëtarëve: S’ka stabilitet pa demokraci

schedule14:56 - 16 Mars, 2019

schedule 14:56 - 16 Mars, 2019

Në përfundim të protestës së opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti një fjalim në selinë blu. Ai i dërgoi një mesazh, ndërkombëtarëve dhe u bëri thirrje që të mos dëgjojnë më Edi Ramën, por zërin e qytetarëve.

“Dua t’i drejtoj një mesazh të qartë miqve ndërkombëtarë që na kanë mbështetur në 29 vite. No stabilitet without demokraci. (Nuk ka stabilitet, pa demokraci) Dëgjojini më pak autokratët e korruptuar dhe inkriminuar. Ftesa ime është mos e dëgjoni autokratin, mos e dëgjoni njeriun që e zhyti Shqipërinë në drogë, dëgjoni zërin e njerëzve, dëgjoni zëri e qytetarëve”, tha Basha.

Basha tha se protesta e 16 Marsit ka hyrë në histori. Gjithashtu ai i bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar pasi edhe bota e ka kuptuar fundin e kësaj që ka nisur, se do të fitojë populli dhe Shqipëria si gjithë Europa.

“E sotmja hyri në historinë tonë të paskomunizmit si dita e dytë e zgjimit kombëtar. Si dita e bashkimit me të madh që bulevardi  Dëshmorët e Kombit dhe Tirana ka njohur në historinë e saj dhe që për këtë çdo shqiptar sot dhe çdo brez që vjen ju ka një borxh mirënjohjeje ju misionarët e lirisë.

Sot më në panik se kurrë kufoma politike e Edi Ramës dhe klikës së tij përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve me të vetmin qëllim për ti shpërndarë për ti trembur, për ti larguar nga rruga e protestës. Por përgjigjen e mori nga populli. Duart e gjata të krimit që për llogari të oligarkëve dhe kriminelëve që dhunojnë qytetarët për të mbrojtur qeverinë kriminale do të japin përgjegjësi, për këtë zotohem para jush.

Le ta bëjmë bashkimin tonë dhe protestën, të përditshme dhe të përnatshme, zjarr t’i digjet toka kriminelëve në këmbë. Ditë për ditë e natë për natë, në aksion qytetar, në protestë, në qëndresë mos e ktheni faqen tjetër ku ju godasin horrat, por goditini mbrapsht. Të qëndrojmë të bashkuar. Bota e di se kjo që ka nisur ka vetëm një fund, fitoren e popullit, fitoren e lirisë, fitoren e gjithë Shqipërisë si gjithë Europa”, tha Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!