Edhe në Berat e Urën Vajgurore kreu demokrat u premtoi përfaqësuesve të biznesit politikat e reja të platformës ekonomike të opozitës, për të nxjerrë sipas tij vendin nga keqqeverisja.
Në Urën Vajgurore sipërmarrës dhe tregtarë i treguan kreut demokrat problemet që kanë në aktivitetin e tyre.
Tregtar: “Siç e shikoni edhe vetë është gjithë ky mall, nuk qarkullon. Fuqia blerëse ka rënë. Taksat janë rritur. Taksat mbi ndërtesën, u shtua edhe taksat për shtëpitë tani. Taksa mbi truallin. Taksa mbi tokën bujqësore. Është një krizë totale. Fermerët kanë braktisur tokat, kanë ikur dhe emigruar. Çdo ditë biznesi bëhet shumë më i vështirë. Kam paguar taksat rregullisht. Fuqia blerëse ka rënë 95% nuk e beson… fuqia blerëse ka rënë gjithandej. Në të gjithë Beratin mund të jenë 5 ose 6 biznese. Të tjerat janë të falimentuara, të mbaruara. Ky është kolaps. Nuk e di se si do shkojë e se si do shtyhemi. Qeveria duhet të marrë masa urgjente për biznesin, për fermerët. Nafta është rritur. Ç’të të them, është lemeri e madhe gjithandej. Kompani të vogla ndërtimi që ndërtojnë shtëpi, kapanone, riparime, ristrukturime ka falimentuar. Zona sa vjen e bëhet më e varfër dhe vlera e pronës ka rënë. Kjo është një krizë totale. Presim që me ardhjen tuaj gjerat të ndryshojnë dhe taksat të ulen. Tatim fitimi të jetë goxha i ulët. Në dyqan kam miliona lek mall dhe nuk e di se çfarë do të bëhet”.
Basha akuzon Qeverinë për situatën në të cilën ndodhet biznesi
“Gjendja në Urën Vajgurore përfaqëson gjendjen e biznesit në të gjithë Shqipërinë. Qeveria nuk ka kthyer as 1/10 e taksave që ka marrë tek njerëzit dhe ekonomia. Investimet publike janë në krizë totale, subvencionet për fermerët janë zero. Mbështetja me investime infrastruktorore për uljen e kostos së prodhimit, duke ulur koston e transportit janë në rekordet më të ulëta historike të 28 viteve.
Nuk ka më qeveri. Kemi një bandë e cila është kapur duke vjedhur. Janë kapur duke vjedhur votat dhe në këtë moment ka prerë lidhjen me popullin”.
Biznesmen: “Mora kredi për biznes, mora gjobë dhe më kthyen në biznes të madh”.
Edhe një herë Basha ftoi qytetaret t’i bashkohen protestës së 16 marsit në Tiranë.
Edhe ne Berat shefi i opozitës u takua me disa biznesmene të zonës, diskutimin me të cilët e orientoi jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë politik.
Në Berat kreu i selisë blu takoi një grup studentësh të cilët i shprehën mbështetjen e tyre. Basha akuzoi kreun e qeverisë se i intereson që të rinjtë të jenë të paarsimuar. /abcnews.al