Basha mbledh kryesinë e PD për analizë, tensionedhe debat

schedule20:48 - 21 Shtator, 2017

schedule 20:48 - 21 Shtator, 2017

Nuk kanë munguar debatet dhe tensionet në mbledhjen e kryesisë së PD, te thirrur pasditen e se enjtes nga kreu i kësaj force Lulzim Basha. Debati ka nisur pas analizës së garës për kryetar, ndërsa është shmangur konfrontimi fizik.

Mbledhja e kryesisë e PD-së, që nisi rreth orës 18:00 të së enjtes, është shoqëruar me tensione e debate të ashpra. Përplasja më e fortë ka ndodhur mes dy antarëve Jemin Gjana e Valbona Mezini, e cila mësohet se i ka ndërprerë disa herë fjalën Gjanës. Ky i fundit ka kërkuar të ndryshojë Kryesia, ndërsa është akuzuar nga Mezini për manipulim të procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Gjana ka reaguar duke tentuar ta qëllojë Valbona Mezinin me çfarë kishte para, por nuk ka arritur ta godasë atë. Mësohet se për shkak të tensioneve është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë për të shmangur përplasjen fizike mes tyre. Nga ana tjetër, kryetari Basha ka pranuar që të ndryshohet statuti i partisë dhe ka thënë se u zgjaste kritikëve dorën e pajtimit. Sulmet ndaj njëri-tjetrit i shërbejnë vetëm Edi Ramës, ka thënë Basha. “Çdo sulm pa fakte, me hamendësime, ndaj PD dhe lidershipit, janë një shërbim që me vetëdije i bëhet Edi Ramës”. Në lidhje me zgjedhjet parlamentare, kryedemokrati ka thënë: “Dolëm nga një luftë, nuk ishin zgjedhje por luftë, duhet të bashkohemi për betejat e ardhshme. Përgjegjësinë time e mbaj dhe e kam mbajtur para gjithë anëtarësisë”, ka thënë Basha. Kundërshtarët e tij kanë kërkuar edhe legalizimin e fraksioneve në statutin e ri. Gjatë diskutimeve, Jamarbër Malltezi është shprehur se demokratët janë të demotivuar. “Nuk dokumentuam asgjë”, ka thënë ai në lidhje me pretendimin e PD-së për paligjshmëri në zgjedhjet e 25 qershorit. “Duhej të ngrenim zërin dhe denonconim vjedhjen e votës”, ka theksuar Malltezi. Kritikët e Bashës kanë pretenduar se mbledhja e Kryesisë ishte pa rend dite, ndërsa i kanë rikujtuar kryetarit se kishte 3 vjet që nuk mblidhte Këshillin Kombëtar, forumi më i lartë ekzekutiv në PD. Ata e kanë quajtur analizën e Bashës “false, njësoj si zgjedhja e tij në krye të PD-së”. “Analiza duhet të nisë nga baza – kanë nënvizuar kritikët e Bashës – dhe nëse baza të nxjerr përgjegjës duhet të japësh dorëheqjen”, i kanë thënë ata kryetarit. Ndërsa Arben Imami i ka thënë Bashës: “Analizën ta ka bërë Berisha dhe media, mjafton ti ta kuptosh”. Imami është shprehur i hapur për bashkim, por ka kërkuar nga Basha prova për ta besuar.
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku ka deklaruar se nuk është aspak mirë që kolegë në Kryesi shajnë drejtues aktualë dhe të lidershipit të kaluar. Përsa i përket analizës, Tabaku ka sugjeruar që të dërgohen njerëz me eksperiencë dhe jo arrogantë. “Të fillojmë punën, të dalim në terren”, ka kërkuar ajo.