Basha i përgjigjet Ramës

schedule15:00 - 23 Maj, 2019

schedule 15:00 - 23 Maj, 2019

Përgjigjen, letrave të hapura që i drejtoi Kryeministri Rama, Lulzim Basha zgjodhi t’ia kthejë duke iu drejtuar qytetarëve.

“Pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia. Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit.”

 Për kreun e selisë blu, nëse Kryeministri do të kishte respekt për demokracinë, ai do kishte dhënë dorëheqjen jo një, port ë paktën 20 herë në gjashtë vitet e fundit.

“Ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë; kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe; kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit”.

Kështu vijon numërimin e rasteve që sipas Bashës, duhet të kishin sjellë atë që ai kërkon prej muajsh si kusht të panegociueshëm të nisjes së dialogut për qeverinë teknike dhe sfidat që ajo duhet të zgjidhë

“Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë. Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!