Bardhi për Ramën, Berishën e Metën: Të tre kanë të njëjtin hall, ta mbajnë Shqipërinë peng

schedule17:09 - 28 Janar, 2022

schedule 17:09 - 28 Janar, 2022

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, shprehet se opozita e vetme në vend është PD. Për Partinë Demokratike, kryeministri Edi Rama, kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha “kanë të njëjtin hall, që ta mbajnë Shqipërinë peng.”

Gazment Bardhi në Twitter

“Njëri kordinon sulmin mbi PD, tjetri financon foltoren, tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD. Të tre kanë të njëjtin hall, të tre duan ta mbajnë Shqipërinë peng. Kushdo e ka të qartë se ata janë bashkë, se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Zgjidh Ramën dhe merr Berishën dhe Meten. Zgjidh Berishën e Meten dhe merr Ramën.”

Bardhi ka publikuar një video në të cilën janë shkëputur deklarata të ndryshme nga Berisha, Meta e Rama. Citohet kreu i shtetit kur në një konferencë për mediat tregoi mesazhet që kishte shkëmbyer me Belind Këlliçin përpara protestës së 8 janarit.

Në pamje është shkëputur edhe deklarata e djeshme e ish-kryeministrit Berisha i cili, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje, tha se sallat në të cilat është mbajtur “Foltorja” kanë qenë falas dhe janë vënë në dispozicion nga kryetarët e Bashkive përkatëse.

Po ashtu, përmendet edhe kryeministri Edi Rama ndërsa në një studio televizive mbrëmjen e së enjtes diskutonte rreth legjitimitetit të liderit aktual dhe ish-liderit të PD-së.

Që nga momenti që ka nisur krisja mes dy grupeve në PD, akuzat për bashkëpunim të mundshëm me kreyministrin Rama kanë qenë të ndërsjella nga të dyja kampet. Ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta ka dalë së fundmi hapur në mbështetje të grupimit të Berishës. /abcnews.al/