Banorët e një ndërtese dykatëshe kundër prishjes, përplasen me policinë

schedule15:57 - 11 March, 2019

schedule15:57 - 11 March, 2019

Pas më shumë se pesë orë përplasjesh me banorët, përmbaruesit dhe forcat e policisë janë tërhequr nga vendimi për të shembur banesën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.  Banorët mendojnë se ky është një vendim i përkohshëm dhe thonë se nuk do të largohen nga shtëpitë. Që nga ora 10:00 e mëngjesit familjarët kanë bërë rezistencë duke mos lejuar punonjësit e një zyre përmbarimore të ekzekutojë vendimin e gjykatës e t’u prishë shtëpitë. Aksioni i Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit për të nxjerrë 15 persona nga një banesë që gjendet në afërsi të zonës së liqenit Artificial, jo shumë larg shkollës “Petro Nino Luarasi ka shkaktuar tensione, përplasje e bllokime rruge.

Në këto kohe u kërkua dhe ndërhyrja e forcave të rendit. Banorët e banesës 2 katëshe kanë dalë edhe në rrugën kryesore, duke u shtrirë mbi asfalt dhe duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Përplasjet fizike mes tyre dhe forcave të rendit nuk kanë munguar, ndërkohë që një zjarr i vënë brenda banesës ka bërë të nevojshme dhe ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Disa prej familjarëve janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së asfiksisë të shkaktuar nga situata e tensionuar.

Konflikti për këtë prone zgjat prej disa dekadash. Siç deklaroi sot njëri prej banorëve të saj, prej 23 vitesh ata janë në konflikt gjyqësor me pretenduesin si pronar trualli, i cili ka fituar procesin gjyqësor për kthimin e kësaj prone. Familjarët nga ana tjetër pretendojnë se banesën e kanë përfituar nga Enti i Banesave dhe se pretenduesi i këtij trualli ka falsifikuar dokumentet për të patur pronësinë e tokës, e cila gjendet në një ndër zonat më të mira dhe më të kërkuara në kryeqytet. /abcnews.al