Banorët e fshatrave në Rrogozhinë protestojnë për rrugën dytësore

schedule15:24 - 8 Qershor, 2018

schedule 15:24 - 8 Qershor, 2018

Një rrugë dytësore që ishte planifikuar për të mundësuar qarkullimin e banorëve nga njëra anë e autostradës Lushnje-Rrogozhinë në tjetrën duket se i ka bllokuar përfundimisht. Rruga dytësore nis në fshatin Gosë dhe të çon drejt një kanali pasi puna për ndërtimin e saj është lënë në mes që para disa vitesh.

Ndërtimi i një rruge dytësore pa asnjë standard ngriti në protestë banorët e disa fshatrave në Rrogozhinë. Rreth 1.5 kilometra e gjate ka vetem hyrjen e saj dhe jo dalje.

Kushdo që futet në këtë aks dytësor nga Gosa deri në Bishtin e Zhurit mbetet i bllokuar sepse rruga të çon drejt një kanali.  Për të shkuar në anën tjetër të rrugës, duhet të kapërcesh bordurat anësore dhe trafikndarësen e  autostradës Lushnje-Rrogozhinë.

Nuk ka as nënkalime dhe as mbikalime. Bizneset kanë falimentuar sepse këtu  nuk qarkullohet më.

80 përqind e banorëve të Gosës kanë tokat bujqësore në krahun tjetër të autostradës. E kanë të pamundur të gjejnë mjete transporti për prodhimet e tyre. Ndërtimi i kësaj rruge ka bllokuar kanalet kulluese, pasi mbi të është hedhur beton.

Puna është lënë përgjysëm që prej vitit 2014. Autoriteti Kombëtar Rrugor premtoi se do ta çonte deri në fund investimin, por rruga është në mëshirë të fatit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!