Banorët e Fierit presin me protesta Kryeministrin, Rama vallëzon me zonjat

schedule15:36 - 8 Mars, 2019

schedule 15:36 - 8 Mars, 2019

Kreu i qeverisë Edi Rama ka zhvilluar një takim me gratë e Fierit në këtë 8 Mars, por rrugës për atje është pritur me protesta nga banorët. Ata janë përplasur me policinë, e cila ka tentuar të ndalojë tubimin e tyre, me pretendimin se protesta ishte pa leje.

“Është e vërtetë që kemi pas një debat në qeveri për 8 Marsin, a është festë apo protestë? A duhet ta festojmë 8 Marsin dhe të lemë gratë të protestojnë kundër nesh dhe këtë dileme e zgjidhi Gramozi që tha hajde shkojmë në Fier për festë”.

E nisi me këto fjalë takimin e organizuar me zonjat fierake, por rrugës për atje, ndërroi itinerar për të evituar pikërisht protestën që banorët e Fierit po zhvillonin për të.

Pasi bllokuan rrugën që lidh Fierin me Rroskovecin, protestuesit kaluan nga qendra e qytetit, për t’ju drejtuar ambientit ku mbahej takimi i kryeministrit.

Protestuesit e quajtën ndalim të së drejtës së manifestimit paqësor bllokimin e rrugës, por për policinë, protesta është pa leje.

“Nuk kemi pune me ju, pse na ndaloni në mes të rrugës. Ta dini se do e kalojmë këtë rrugë, ne nuk lëvizimin ne do ikin nëdestinacionin tonë, protesta është paqësore. Kemi ecur më këmbë nga qendra e Fierit drejt destinacionit tonë. Duam t’i japim Kryeministrit të rrëzuar tashmë mesazhin tonë se ai nuk ka punë në Fier”.

Bllokimi i rrugës nga forcat e policisë krijoi konfuzion tek banorët e lagjes. Për të zbutur situatën opozita ofroi një simbol paqeje.

“Po na bllokoni pa kuptim, çfare kuptimi kanë skafandrat kundër kujt? Qytetarëve tuaj? Të gjitha zonjat të dalin përpara”.

Por kjo nuk ndihmoi situatën, e cila përfundoi në shtyrje mes policëve dhe banorëve.

Një mesazh opozita ja dha kryeministrit:

“Mos ki frikë zoti Kryeministër, qytetarët shqiptarë e fierakë, çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë do na ketë këmbë pas këmbe derisa të japë dorëheqjen”.

Ndërkohë në anën tjetër, Kreu i Qeverisë u shfaq i pashqetësuar nga pjesa protestuese e qytetarëve të Fierit.

“Jam krenar që ne sot i kemi dhënë këtij vendi një qeveri që zë një vend nderi në Europë, pasi ka 50 % gra në kabinetin qeveritar dhe dua t’i shpreh mirënjohjen të gjitha grave dhe vajzave në qeverinë tonë dhe atyre të angazhuara në sektorin privat, që mbajnë një barrë dyfish të angazhimit në punë dhe në familje“.