Balluku: Aksi Kukës-Morinë do të jetë gati për sezonin turistik

schedule15:22 - 4 Maj, 2019

schedule15:22 - 4 Maj, 2019

Aksi rrugor Kukës-Morinë ka hasur shumë vështirësi gjatë ndërtimit, por kjo nuk do të shkaktojë vonesa për përfundimin e tij.

Ka pasur një vonesë, një vështirësi për shkak se asnjë lloj vinçi që ekziston në rajon nuk e merrte përsipër dhe kontraktori është detyruar të prodhojë një vinç enkas për t’i transportuar nga viaduktet e dubluara për t’i hedhur në viaduktin që po dublohet”, thotë inxhinieri i ARRSH.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i kërkoi  firmës kontraktuale përfundimin brenda afateve të parashikuara të punimeve.

 “Ju duhet të bëni të pamundurën për të kapur afatet. Ky është një aks kombëtar shumë i rëndësishëm. Do ishte mirë që gjatë sezonit kjo pjesë të ishte dorëzuar për të mos krijuar dhe probleme në trafik i cili vjen dhe nga Kosova apo edhe vizitorët që janë shtuar kohët e  fundit dhe vijnë në zonën e Kukësit”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është në dijeni të problematikave që janë hasur për ndërtimin e këtij aksi por për të, i rëndësishëm është përfundimi i punimeve përpara mbërritjes së së pushuesve.

 “Sigurisht vështirësia e këtij projekti është e njohur edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar edhe nga ministria, megjithatë një përpjekje e përbashkët e të gjithë institucioneve për të kapërcyer këtë vështirësi teknike dhe për ta mbaruar sa më shpejtë dhe në afat mundësisht projektin është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, theksoi ajo.

Krahas dublimit të urave, në aksin Kukës-Morinë është duke u punuar edhe sa i takon masave mbrojtëse inxhinierike si dhe sigurisë rrugore për të bërë këtë rrugë më të sigurtë për të gjithë përdoruesit e saj./ABC News Albania 24/7