Taulant Balla nga foltorja e parlamentit i ka drejtuar thirrje prokurorisë të mos vonojë më hetime të cilat zbardhen lehtësisht. Kjo thirrje e numrit dy të socialistëve erdhi lidhur me akuzat ngritur drejt tij nga nënkomisari Emiljano Nuhu, lidhur me rastin e Xhisiela Malokut dhe djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja.
Taulant Balla nga foltorja e parlamentit vendosi të flasë nga pozitat e kryeprokurorit. Shtysë u bë kallëzimi penal i krerëve të partive të opozitës ndaj shefit të tij, kryeministrit Edi Rama, lidhur me nënkomisarin, i cili publikisht akuzoi vetë Ballën, Artur Bushin dhe Rrahman Rrajën se e kanë kërcënuar me armë në ambientet e komisariatit Fushë-Krujë për të mos kryer detyrën e tij.
“Prokurorisë i kërkoj të hetojë menjëherë, mjaft më me muaj për të zbardhur një çështje që është e zbardhshme brenda pak ditësh, une Bushi dhe Rrahja kemi qënë apo jo atje? ka plot mënyra e prova për ta vërtetuar”.
Taulant Balla komentoi edhe nismën ligjore të demokratëve për vettingun në politikë, duke i dhënë dashje padashje përgjigjen e tij disa prej pyetjeve, për të cilat vetë Kuvendi i Shqipërisë, përmes kreut të tij Gramoz Ruçi, vetëm një ditë më parë i është drejtuar Komisionit të Venecias për opinion ligjor.
“Reforma në drejtësi ka pasur dhe ka në thelb vettingun në politikë, por ne kurrsesi nuk pranojmë vetting në politike pa u hetuar pasuritë e familjarëve dhe korrupsioni 27 vjeçar. Jo vetëm që i ngrihet një trung me ferra vettingut në drejtësi, por synohet të bllokohet BKH dhe SPAK”.
Për Taulant Ballën opozita duhet të ishte në sallë për të votuar rritjen e kapaciteteve në burime njerëzore dhe financiare të organeve të vettingut të drejtësisë në mënyrë që ato të punojnë me shpejtë për të përmbushur pritshmërinë e shqiptarëve për largimin nga sistemi i drejtësisë të atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e meritojnë të qëndrojnë./abcnews.al



