Balla në Asamblenë e PS Korçë: Huliganët para parlamentit s’janë më shumë se ju

schedule18:30 - 3 Mars, 2019

schedule 18:30 - 3 Mars, 2019

Huliganë i ka quajtur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla protestuesit e opozitës. Për numrin dy të socialistëve ata janë shumë të paktë në numër krahasuar me shqiptarët që votojnë këtë mazhorancë që qeveris.

E kanë përgatitur veten deputetët socialistë për pritjen që do t’i bëjnë të martën përpara parlamentit protestuesit e opozitës të cilët për ta janë vetëm disa huliganë.

“Ditën e martë kur ata sulmuan deputetët ishte frika, por edhe përpjekja e fundit për të bllokuar votimin në Kuvend të strukturës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Edhe të martën që vjen ne përsëri kemi disa ligje që lidhen me implementimin e Reformës në Drejtësi dhe përsëri do të ketë protestues huliganë, që do të mblidhen në hyrje të Kuvendit”.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla është i bindur se ata nuk janë shumica që përfaqësojnë popullin.

“Të jeni të sigurtë se nuk janë më shumë se sa jeni ju këtu. Ne jemi votuar për të çuar përpara reformën në drejtësi. Të gjitha fajet e këtyre 28 viteve, kushdo që i ka bërë, nuk ka për të shpëtuar pa u hetuar ashtu siç duhet dhe pa u dënuar ashtu siç e meritojnë.

Mjafton që çdo shqiptar të bëjë një pyetje : çfarë mund ta bëjë bashkë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin? Ne jemi më shumë të bashkuar se kurrë për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi”.

Në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste Korçë, përfaqësuesit e mazhorancës thanë se janë të vendosur të vijojnë punën për zbatimin e kontratës që kanë me qytetarët. /abcnews.al