Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një takim me strukturat e partisë në Elbasan ka reaguar edhe ndaj protestave të opozitës për mosbindje civile. Sipas Ballës, për Bashën sot koeficienti i lumturisë matet me sa mund t’i bëjë keq Shqipërisë.
Ka shkuar në Elbasan për të konsultuar me grupet e interesit strategjinë kombëtare të punësimit. Por kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nuk ka mundur të shmangë mesazhet për kreun e opozitës.
Taulant Balla: “Detyra jonë është të vazhdojmë t’i bëjmë mirë Shqipërisë. Edhe pak ditë, pavarsisht tymit të gomave, çizmeve, klithmave, ne do të kemi mundësi që më 17 Prill të marrim një lajm të mirë për Shqipërinë, që është rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Jam shumë i sigurtë çizmet , klithmat, gomat, Luli, Saliu, Monika do vazhdojnë të njënjtën këngë, detyra jonë është të krijojmë sa më shumë punë për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë pasur mundësi t’ju jepet një vend pune”.
Elbasanit i ka munguar tymi prej një viti, sipas Taulant Ballës. Nostalgjikëve ia kujtuan deputetët e opozitës tha ai.
Taulant Balla: “Do doja ta mbyllja me diçka që më tha përpara se vinim këtu një sipërmarrës i Elbasanit. Kishim një vit që në Elbasan nuk kishim më tym, sepse ishim mësuar me tymin e plehrave, por Monika me Edmond Spahon na khyen dje tymin, duke djegur goma në Bradashesh, na kishte marë malli për tym sepse kishim 26 vite që hanim tym”.
Balla ia di për nder kryeministrit që Elbasani është shëruar nga një prej sëmundjeve më të mëdha që ka pasur në gjithë këto vite tranzicioni, shërimi ndaj sëmundjes së tymit të plehrave./abcnews.al