Sistemi penitenciar është në gjendje alarmante. Avokati i Popullit Endrit Shabani publikoi raportin e vitit 2025 duke ngritur si shqetësim kryesor mbipopullin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend, mungesën e kushteve normale të trajtimit të të paraburgosurve apo të të dënuarve në qeli, teksa propozon mbylljen e 5 IEVP, të cilat nuk përmbushin kriteret bazë.
Burgu i Burrelit, Kosovë-Lushnjë, Kukës, IEVP 302 dhe 313, sipas Shabanit duhen mbyllur pasi janë ambiente të amortizuara, pa ajrim, nuk ka ndriccim dhe ngrohje të mjaftueshme.
Avokati i popullit ka konstatuar se nuk ka dollapë për mbajtjen e sendeve personale, mungon higjiena, sistemet e ngrohjes dhe ftohjes nuk janë funksionale, dhe ka mundësi të kufizuara për kryerjen e aktiviteteve kulturore dhe rehabilitive.
Gjetjet u konstatuan pas inspektimit në 115 institucione të sistemit penitenciar, në 18 IEVP në të gjithë Republikën, ndërsa në fokus është vënë edhe njëherë mbipopullimi në masë në te gjitha burgjet. Shabani veccon IEVP e Lezhës me kapacitet 65% , teksa thotë se të paraburgosurit qëndrojnë më shumë se 8 muaj në qeli pa vendim të prerë gjyqësor.
Për personat me probleme të shëndetit mendor gjitashtu nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit. Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë rishqyrtim të politikës së paraburgimit, plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor dhe mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.
Raporti:
Në Lezhë, mbipopullimi i burgjeve arrin 65%. Të paraburgosurit kalojnë mesatarisht më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar.
Avokati i Popullit ka konstatuar se trajtimi i personave të privuar nga liria në pesë institucione penitenciare të vendit afrohet me standardin e trajtimit degradues. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Gjetjet bazohen në inspektime në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.
“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues,”-tha
Avokati i Popullit, Endrit Shabani.
Tre shifrat kryesore
- 5 burgje duhen mbyllur: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” (302), “Jordan Misja” (313).
- 65% mbipopullim në IEVP Lezhë, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.
- 253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim, pra më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë i dënuar.
Realiteti njerëzor pas shifrave
Në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.
Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar
Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5.029 të burgosur dhe 5.747 vende gjithësej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë:
- IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet)
- IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona)
- IEVP Vlorë: +10% (16 persona)
- IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)
56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar. Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.
Kushtet që cenojnë dinjitetin
Inspektimet kanë konstatuar:
- Ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme.
- Të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë.
- Mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive.
- Sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem.
- Mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim.
- Mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim.
Kujdesi shëndetësor: reagim ndaj emergjencave, jo shërbim i vazhdueshëm
- Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë.
- Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë.
- Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”.
- Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë.
- Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.
Çfarë kërkon Avokati i Popullit
Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë:
- Rishqyrtim të politikës së paraburgimit. 56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë.
- Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.
- Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.



