Europa ka ndoshta gjashtë javë ose pak më shumë karburant për avionë. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, tha për Associated Press se mund të ketë anulime të fluturimeve së shpejti, nëse furnizimet me naftë mbeten të bllokuara nga lufta e Iranit.
“Në Europë na kanë mbetur ndoshta rreth 6 javë karburant për avionët. Nëse nuk jemi në gjendje ta hapim Ngushticën e Hormuzit, nëse rafineritë si pasojë ndalojnë së punuari, mund t’ju them se së shpejti do të dëgjojmë lajmin se disa nga fluturimet nga Qyteti A në Qytetin B mund të anulohen si rezultat i mungesës së karburantit për avionët. Pra, dy probleme të mëdha: së pari, çmimet e larta dhe së dyti, mungesa e karburantit për avionët”, tha Fatih Birol.
Birol përshkroi një pamje të trishtueshme të pasojave globale të asaj që ai e quajti “kriza më e madhe energjetike që kemi përballuar ndonjëherë në histori”, që rrjedh nga kufizimi i naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai theksoi se goditja ekonomike do të ndihet në mënyrë të pabarabartë dhe disa vende, sidomos Japonia, India, Kina dhe Pakistani, do të kenë më shumë pasoja, pasi janë në vijën e parë të krizës energjetike. Kriza më pas do të ndihet edhe në Europë dhe në Amerikë.
Menjëherë pas këtij njoftimi, dy nga linjat më të mëdha ajrore të Europës, Lufthansa dhe transportuesi holandez KLM, njoftuan anulimet e qindra fluturimeve për muajt e ardhshëm.


