Autoritetet “ngrenë supet”, situatë kaotike në kufijtë shqiptarë, dhjetëra emigrantë të bllokuar prej ditësh

schedule22:19 - 2 Prill, 2020

schedule 22:19 - 2 Prill, 2020

Dhjetëra emigrantë në Kakavijë e Qafë Thanë, kanë mbetur të bllokuar në kufi tashmë prej orësh. 67 emigrantë në Kakavijë presim në tokë neutrale. Autoritet shqiptare kanë “kyçur” derën hyrëse.

Sipas emigrantëve, doganierët u kanë thënë se nuk mund të kalojnë, pasi nuk kanë aplikuar në ambasadë për të hyrë në Shqipëri.

E njëjta situatë paraqitet edhe në pikën doganore të Qafë Thanës. Aty ndodhen të bllokuar prej mbrëmjes së djeshme, disa shqiptare. Ata denoncuan në abcnews.al se ka dy ditë që flenë jashtë dhe autoritet nuk i japin zgjidhje.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Ardi Veliu në përgjigje të interesimit të ABC News për shqiptarët e mbetur në mes të dy doganave në Kakavijë, bën me dije se nuk mund të bëjë asgjë përmes policisë për zgjidhjen e  problemit të tyre .

Ai i referohet urdhrit të ministres Manastirliu të firmosur me datë 14 mars i cili bën me dije se ndërpriten lëvizjet në pikat kufitare të njerëzve.

Por në urdhër theksohet se ky ndalim është në fuqi deri me datë 15 mars. Po ashtu asnjë autoritet tjetër nga  Ministria e Brendshme nuk ju përgjigj interesimit të ABC News.

Ne u përpoqëm të kontaktojmë  me Drejtorin e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj dhe  me zv/ministren Rovena Voda por nuk morëm asnjë përgjigje. Nga ana e Ministrisë së Jashtme është bërë e ditur se operacioni i riatdhesimit është mbyllur dhe se nuk ka listë tjetër.

Emigrantët janë detyruar që të kthehen për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Kjo është një situatë që përsëritet prej disa ditësh./abcnews.al