PD thotë se bllokoi militantin e PS duke blerë vota, policia procedon demokratët

schedule10:39 - 24 Prill, 2021

schedule 10:39 - 24 Prill, 2021

Policia në Korçë ka proceduar penalisht tre simpatizantë të Partisë Demokratike për rastin e automjeteve të ndaluara në fshatin Podgorie.

Më herët gjatë së shtunës, drejtuesi politik i PD në Korçë Edmond Spaho denoncoi se struktura për mbrojtjen e votës ndaloi tre automjete të njësisë administrative Vreshtas, me rreth 7 punonjës të kësaj njësie në to.

Lidhur me rastin, policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për 25-vjeçarin F. D., 25 E. D., 21 vjeç dhe A. G., 54 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq. Sipas policisë, ata i kanë bllokuar rrugën në Maliq, Cezar Bezati administratorit të Njësisë Administrative Vreshtas, Maliq, me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota.

Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga ana e grupit hetimor dhe shërbimeve të policisë, vijon policia, në automjetin e Bezatit nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor.

Sipas PD, në automjetin e Bezatit, u gjendën:

-Lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie

-Listë e patronazhit të fshatit Podgorie ,me patronazhist administratorin Çezar Bezati,

Liste e shkruar me dore me emra të banorëve, të cilën, sipas PD, policia refuzoi ta bëjë publike.  sb/abcnews.al/