Policia ka arrestuar ditën e sotme, si të dyshuarin kryesor për atentatin kundër prokurorit Arjan Ndoja, Redjan Rrajën, i cili është kushëriri i deputetit socialist Rrahman Rraja. Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare, pasi ka qenë skeduar edhe për disa ngjarje të tjera në vitet e fundit.
Një nga ngjarjet e bujshme ishte edhe përfshirja e tij në vrasjen e Elton Çiços në lokalin “De Niro” afër stadiumit “Selman Stërmasi”. Asokohe Rraja u la në burg nga Gjykata pas dyshimeve se kishte fshehur armën me të cilën lëvizte viktima.
Redian Rraja me profesion stomatolog tha para gjykatës se ai nuk e kishte fshehur armën e viktimës, por se nxitoi që t’i jepte ndihmën e parë, për shkak edhe të profesionit të përafërt me atë të mjekut.
Mirëpo, pretendimi i tij u hodh poshtë nga prokurori i çështjes, i cili tha se pamjet filmike që dispononte organi i akuzës tregonin se Rraja kishte marrë diçka nga çanta e Elton Çiçës. Gjykata pranoi në këtë mënyrë faktet e Prokurorisë dhe e la në burg “doktorin”.
Më tej Redian Rraja u përfshi edhe në rastin e Xhisiela Malokut ku u përmend se kishte kërcënuar oficerin e policisë Emiljano Nuhu. Emiljano Nuhu deklaroi atë kohë se ishte kërcënuar që të mos vazhdonte hetimet ndaj rastit të Xhisiela Malokut./abcnews.al


