Atentati i dështuar ndaj Inez Hajrulla në Vlorë, mbyllen hetimet, sa vite burg kërkon Prokuroria për autorët

schedule12:04 - 5 Nëntor, 2022

schedule 12:04 - 5 Nëntor, 2022

Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet dhe ka dhënë pretencën për grupin e përfshirë në ngjarjen e 10 majit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, ku mbeti i plagosur Ines Hajrulla.

Prokurorja Elona Alvura ka kërkuar 35 vite burg për Daut Elmazin, Igli Memën dhe Gentian Dautin.

Ndërsa nga 30 vite ka kërkuar për Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn.

I përfshirë në këtë ngjarje është edhe Fatmir Hyseni, i cili vijon të jetë në kërkim.

Për këtë të fundit Prokuroria ka kërkuar pezullim të gjykimit.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja u regjistrua më 10 maj të dy viteve më parë në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.

Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.

Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona:  Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.

Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë dhe se Hajrullau tentua të vritej në shenjë hakmarrje për sulmin me armë të datës 17 shkurt 2019, ku mbetën të vrarë Arjan Hasanaj dhe Resti Rexho ndërsa Armando Sulejmani i plagosur lehtë.

Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh  janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ka qenë duke pirë kafe.

Në ikje e sipër autorët e këtij krimi që ndodheshin brenda një automjeti tip “Land Rover” me ngjyrë jeshile dhe që në kokë mbanin maska, janë përplasur me dy automjete të rastit në afërsi të bashkisë Vlorë, dhe më pas kanë ikur në drejtim të fshatit Babicë. Policia u është vënë në ndjekje këtij automjeti dhe në afërsi të fshatrave Babicë e Vogël, dhe Çeprat, ky automjet është gjendur i djegur. Brenda në automjet ndodheshin dy automatikë të djegur plotësisht dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht. /Abcnews.al/