Shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dje zhvilluan mbledhjen e parë pasi ky institucion u bë funksional. Në rendin e ditës ishin dosjet e shumta që presin që të shqyrtohen, ndërsa sot Gjykata Kushtetuese ka publikuar datat e shqyrtimit të cështjeve të para. Dosjet e para do të shqyrtohen në muajt janar dhe shkurt, por në asnjërën prej 3 çështjeve nuk është “30 Qershori” dhe “Teatri Kombëtar”. Në datë 26 janar do të shqyrtohet dosja e parë që ka në thelb padinë e ngritur nga gjykata e Tiranës për një togfjalësh.
“Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017”.
Dosja e dytë që do të shqyrtohet në 4 shkurt ka kërkues Shoqatën Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”. Për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi të shkaktuara nga Covid-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet pa praninë e publikut.
Në 11 shkurt do të zhvillohet seanca e tretë me objekt; Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë brenda një afati të arsyeshëm. Kërkues është Durim Sulkja.