Analisti Artur Nura, në një intervistë në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, duke theksuar se dhuna nuk është një mjet që sjell rezultate politike apo qytetare.
Sipas Nurës, protesta ka karakter qytetar, por sipas tij ekzistojnë përpjekje nga disa grupime për ta manipuluar atë dhe për ta devijuar nga qëllimi fillestar.
Ai u shpreh gjithashtu se në terren janë vërejtur elementë të ndryshëm të protestës, duke bërë dallim mes protestës së paradites dhe asaj të pasdites, të cilat sipas tij kanë dinamika të ndryshme dhe mesazhe jo gjithmonë të qarta.
“Me dhunë nuk arrihet asnjë fitore. Kemi të bëjmë me një protestë qytetarë por që nga shumë grupime kërkohet të manipulohet. Vura re që deputetët e PD nuk i qëlluan me vezë. Nuk u qëlluan as me vezë, as me pjeshkë dhe as me limon të shtrydhur. Pra a ka të bëjmë protesta e paradites me molotovin? Pra shoh që ka një dimension të ngjashëm me protestën e paradites me atë që bënte Berisha. Ndërsa protesta e pasdites është ndryshe edhe pse në deklarata ka një mangësi në oratori”, tha ai.
Nura komentoi edhe incidentet e raportuara gjatë protestës, duke theksuar se dhuna, përfshirë përdorimin e mjeteve të forta, nuk mund të konsiderohet pjesë e një proteste konstruktive.
Më tej, ai nënvizoi se debatet publike dhe protestat duhet të ruajnë karakterin qytetar dhe të mos shndërrohen në përplasje që dëmtojnë qëllimin e tyre.
/abcnews.al/



